ROMË, 1 qershor /ATSH-AFP/ – Nga rihapja e Koloseumit në Romë tek hapja e bizneseve në Moskë, Europa po përshpejton rikthimin drejt një normaliteti të dukshëm përballë pandemisë së koronavirusit, që vazhdon të shkaktojë viktima në Amerikën Latine.

Pavarësisht një rritjeje të numrit të rasteve ditore, kryeqyteti rus filloi lehtësimin e masave kufizuese duke lejuar bizneset të rihapen pas më shumë se dy muaj të mbyllura dhe banorët të dalin, me kusht mbajtjen e maskave.

“Paraja do të rifillojë të qarkullojë”, shprehet Olga, shitëse e një dyqani, e lumtur që shikon disa klientë të rikthehen.

Edhe pse udhëtimet nga në vend në tjetrin mbeten të pamundura, vendet turistike hapen për publikun e gjerë në Europë si Grand Bazar në Stamboll me rreth 3 000 dyqane dhe 30 000 tregtarë dhe Koloseumi në Romë i ndriçuar, për këtë rast, me ngjyrat e flamurit italian.

Duke rihapur, vendet turistike më të vizituara në vend pas disa vendeve dhe monumenteve të tjera të njohura, Italia shpreson të rimëkëmbë shumë shpejt sektorin kyç të turizmit, goditur nga pandemia që ka shkaktuar mbi 33 000 të vdekur në gadishull.

Aksesi në monumentin emblematik të Romës antike në zemër të qytetit të përjetshëm është bërë gjithashtu subjekt i rregullave drastike: maska ​​dhe matje të temperaturës për vizitorët dhe stafin, rrugë të sigurta, rezervime të detyrueshme dhe orare të modifikuara për të shmangur turmat gjatë orarit të punës.

Shkollat britanike, të mbyllura që prej mesit të muajit mars për të frenuar përhapjen e koronavirusit, filluan sot të hapen, etapë vendimtare, por gjithashtu dhe shumë e kritikuar për lehtësimin e kufizimeve kërkuar nga autoritetet, gjykuar të parakohshme nga sindikata e mësuesve dhe autoritetet lokale.

Britania e Madhe, me më shumë se 38 000 të vdekur, të testuar pozitiv është vendi i dytë më i goditur nga pandemia pas SHBA-së dhe madje, sipas disa studimeve krahasuese, i pari për sa i përket vdekshmërisë së raportuar në popullatë.

I kritikuar për reagim të vonuar, qeveria konservatore e Boris Johnson po përpiqet tashmë të rimëkëmbë ekonominë.

Në ambientet shkollore, vetëm fëmijët e moshës nga katër deri në gjashtë vjeç dhe nga 10 deri në 11 vjeç do të rikthehen në shkolla. Rikthimi në bankat e shkollës do të operohet në mënyrë graduale dhe sipas grupmoshave.

Në botë, bilanci ka kaluar pragun e 370 000 viktimave për më shumë se 6,1 milionë raste, sipas të dhënave zyrtare.

Pavarësisht frikës për një valë të dytë, një “aromë” normalizimi ndjehet gjithashtu në Finlandë, me hapjen e restoranteve, bibliotekave dhe vendeve të tjera publike, në Greqi, me hapjen e kopshteve, shkollave fillore, në Rumani me hapjen e kafeneve, restoranteve, plazheve, në Shqipëri me hapjen e kopshteve, plazheve dhe vendeve publike, në Norvegji, në Spanjë dhe në Portugali.

Një tablo më e errët duket në Amerikën Latine, kthyer në epiqendrën e pandemisë ku janë regjistruar zyrtarisht më shumë se një milionë të kontaminuar me COVID-19.

Në SHBA, ku bilanci i epidemisë, është më i rëndi në botë me 104 356 të vdekur të regjistruar, kriza shëndetësore është rënduar gjithashtu nga ndarjet e thella politike dhe që prej një jave nga një rritje e nervozizmit pas vdekjes së një njeriu me ngjyrë gjatë arrestimit nga një polici në Minneapolis, në Minnesota.

Përveç kontinentit amerikan, pandemia vazhdon të bëjë kërdinë në Meksikë, ku numri i vdekjeve po i afrohet pragut prej 10 000 dhe në Peru ku ajo kërcënon spitalet të mbingarkohen.

ATSH