TIRANË, 7 korrik /ATSH – I. Vata/ – Komisioni për Sigurinë Kombëtare në mbledhjen e sotme shqyrtoi projektligjin për një shtesë në ligjin për letërnjoftimin elektronik  të shtetasve shqiptarë ku diskutoi për propozimin e Ministrisë së Brendshme që mosha 75 vjeç të marrë letërnjoftimin elektronik pa afat.

Zëvendësministrja e Brendshme Rovena Vodo tha se për të shmangur koston e panevojshme që deri më tani ka rënduar mbi këtë  kategori shtetasish dhe nuk është një kosto e vogël sepse shuma e parave është e përafërt me pensionin që merr  një 75-vjeçar, propozohet që letërnjoftimi të jetë pa afat vlefshmërie për aq kohë që janë në jetë.

Deputeti i PS-së, Xhemal Qevelia propozoi që meqë ka një vëmendje rreth kësaj kategorie, mosha të ulet në 70 vjeç. “Siç sqaroi dhe zv.ministrja Voda, vende të BE-së e lëshojnë një dokument të tillë edhe në moshën 70 vjeç”, u shpreh ai

Zëvendësministrja e Brendshme Voda theksoi se përsa i përket hapësirës që propozon deputeti Qefalia, kjo lidhet me kostot. “Pra jemi munduar të  kemi edhe një lehtësim për shtresat dhe të mos kemi kosto në buxhetin e shtetit. Nëse ne do ta zgjerojmë fashën dhe ta bëjmë 70 vjeç siç e kanë vendet e BE-së apo do ta heqim fjalën lëshohet, duke zgjeruar mundësinë e personave që do të mbajnë një kartë deri në fund të jetës, Ministria e Brendshme, buxheti i shtetit do të përballojnë një kosto financiare dhe të detyrohemi që patjetër t’i paguajmë kompanisë. Ky është propozim i Ministrisë së Brendshme dhe kjo është arsyeja që kemi vendosur fasho 75 vjeç e sipër”, u shpreh Voda.

Në fund, Kryetarja e Komisionit të Sigurisë Ermonela Felaj theksoi se propozimi duhet parë me vëmendje dhe mund të ketë një seancë tjetër diskutimi.

ATSH