PRISHTINE, 15 qershor /ATSH/ -Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Mirosllav Lajçak, do të vizitojë Kosovën nga 15 deri më 18 qershor 2020, në udhëtimin e tij të parë zyrtar që nga marrja e pozitës së tij të re.

Në Kosovë, ambasadori Lajçak do të takohet me udhëheqjen politike, përfaqësuesit e partive politike dhe të komunitetit ndërkombëtar në Kosovë, si dhe krerët e misioneve të vendeve anëtare të BE-së. PPBE-ja planifikon të diskutojë kushtet dhe modalitetet për një rifillim të shpejtë të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja mes Prishtinës dhe Beogradit.

Sipas njoftimit të zyrës së BE-së, në Kosovë, gjatë qëndrimit në Kosovë, Lajçak do të shfrytëzojë këtë mundësi për t’u njohur me situatën në terren.

ATSH