ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka inspektuar punimet e ujësjellësit të ri në fshatin Hotolisht, një investim i munguar prej 30 vitesh dhe ku 180 banorë do të përfitojnë furnizimin me ujë cilësor 24 orë.

“E filluam vitin e ri 2021 me një punë tjetër të përfunduar. Ky investim i Bashkisë së Librazhdit ka bërë të mundur furnizimin me ujë të banorëve të kësaj zone në kohë të plotë, 24 orë dhe me cilësi, pasi uji merret nga burimet malore mbi 1 mijë metra. Ujësjellësi ka një gjatësi prej 16 km, i pajisur me puseta kontrolli dhe reduktorë presioni, si dhe tubacion të cilësisë më të lartë”, tha Balla.

Balla thekson se, “ky është një investim shumë i madh që bëhet një herë në 10-15 vite po të kemi parasysh vlerën e investimit sikurse edhe cilësinë e këtij investimi. Qyteti i Librazhdit që e merr ujin e pijshëm në një lartësi rreth 1000-1500 metra, edhe Hotolishti merr tashmë një ujë cilësorë i cili jo vetëm është i pastër por që në fund të fundit garanton furnizim me ujë të pijshëm 24 orë për të gjithë familjet, për 180 abonentët e këtij fshati. Dua t’ju them që vendosja e Hotolishtit në sistemin e administrimit në Ujësjellës-Kanalizime në Librazhd e bën Hotolishtin pjesë të qytetit, në kuptimin e administrimit dhe  cilësisë. Vendosja e matësve është detyrim. Për familjet e varfra kemi menduar me Kastriotit që në çdo rast, bashkia do të ndërhyjë në rastet e pamundësisë por unë mendoj se është një e mirë e përbashkët për të cilën do të kujdeseshim të gjithë”.

“Ky investim ka qenë një investim që kjo zonë e ka pritur prej 30 vitesh por u desh që të marrin ne administrimin e kësaj njësie administrative dhe drejtimin e kësaj njësie, për t’ju rikthyer punëve dhe për sjellë këtë investim kaq të rëndësishëm”, shtoi Balla,.

Nga ana e tij, kryetari i bashkisë së Librazhdit, Kastriot Gurra u shpreh se, “përfitojnë rreth 1 mijë banorë nga ky investim, 180 abonentë do të marrin ujë shumë cilësorë. Ky është një ujë shumë cilësorë me të gjitha parametrat, të bëra nga drejtoria e Ujësjellësit përpara se ne të fillonim investimin. Është një investim total i bashkisë Librazhd dhe as nuk mund të imagjinohej 5 vjet më parë kur nisëm reformën territoriale që bashkia mund të ishte në atë fazë të atillë që mund të bënte investime të tilla për banorët e fshatrave. Po përpiqemi edhe në fshatra të tjera së bashku me Ujësjellës-Kanalizime Librazhd- Përrenjas me qëllim që t’i dalin për zot atij zotimi që kemi dhënë që në krye të herës, për të çuar në çdo lagje apo çdo shtëpi ujë të pijshëm dhe cilësor”.