Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka dekoruar me “Medalje Nderi”, Zv.drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Italiane Vittorio Rizzi, për kontributin në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet agjencive ligjzbatuese mes dy vendeve, në kuadër të luftës së përbashkët kundër krimit.

Gjatë takimit, Lleshaj vuri në dukje bashkëpunimin në operacionin “Los Blancos” i cili shkatërroi kartelin ndërkombëtar të drogës që operonte në 10 shtete dhe drejtohej nga trafikantët shqiptarë.

“Vetëm sa për të përmendur operacionin e fundit “Los Blancos” ku roli i Italisë ishte i jashtëzakonshëm, e përmes këtij operacioni u dha një goditje shumë e fortë për krimin e organizuar, por edhe një mesazh shumë i fortë për nivelin e lartë dhe besueshmërinë e qëndrueshme midis strukturave tona të luftës kundër krimit.

Kjo do të thotë se niveli i goditjes është ngjitur lart dhe ka vajtur thellë, flas për nivelin e goditjes kundër krimit të organizuar, gjë që mundëson dhe inkurajon për ta thelluar edhe më tej bashkëpunimin dhe forcën e goditjes në të gjitha katet e krimit të organizuar. Gjithashtu ky operacion na tregon se tashmë niveli i besimit është i konsoliduar dhe ne mund të besojmë më shumë njëri-tjetrit dhe mund të synojmë më tej”, u shpreh Lleshaj.