LONDËR, 2 qershor /ATSH-AFP/ – Më shumë se 200 personalitete, përfshirë dhe ish-kryeministrat britanikë, Gordon Brown dhe Tony Blair, kërkojnë një takim urgjent të G20-s, pa pritur samitin e ardhshëm, të parashikuar në nëntor, për të reaguar përballë pandemisë së koronavirusit të ri.

“Pa veprimin e G20-s, recesioni i shkaktuar nga pandemia, vetëm do të përkeqësohet, duke prekur të gjitha ekonomitë dhe popujt, edhe kombet më të zhvilluara dhe të varfra në botë”, shkruajnë në një letër të hapur këto 225 personalitete të botës politike, shkencore dhe shoqërisë civile, shumica e të cilëve ish-presidentë dhe kryeministra, ish-sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon.

“Duke përfaqësuar 85% të PBB nominale botërore, G20 ka kapacitete për të drejtuar mobilizimin e burimeve në shkallën e kërkuar. Ne u kërkojmë drejtuesve ta bëjnë menjëherë këtë”, shtojnë ata.

Duke kujtuar se Fondi Monetar Ndërkombëtar ka vlerësuar 2 500 miliardë dollarë nevojën e financimit për vendet në zhvillim për t’i bërë ballë krizës, nënshkruesit nënvizojnë se vetëm një pjesë e kësaj shume është dhënë deri tani.

ATSH