ATSH/ -“Opozita po paguan çmimin e rëndë të djegies së mandateve”.
Ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Edvin Kulluri, u shpreh sot në një intervistë televizive, “pozicioni i Partisë Demokratike është i vështirë. Jemi në kushtet kur opozita zyrtare, PD, LSI dhe aleatët e tyre po paguajnë çmimin e rëndë të djegies së mandateve. Ky është një fakt të cilit ne nuk i shmangemi sot. Pra nëse opozita mendon se marrëveshja e bërë me mazhorancën do të kalonte në parlament pa qenë prezente atje, mendoj se ky ishte një gabim në llogaritje shumë i madh. Unë nuk e di ku është bazuar Basha dhe bashkëpunëtorët e tij sigurinë se do kalonin marrëveshjen pa pasur votat për ta garantuar këtë gjë”.
“Unë mendoj se Rama taktikisht për interesin e partisë së tij dhe në një kuptim edhe në dëm të opozitës për çështjen e koalicioneve, po mbron pozicionin e tij dhe taktikisht po luan perfekt. Por kjo natyrisht po dëmton dialogun politik dhe ka shumë mundësi të shkojmë drejt në një destabilizim politik, jo social , në marrëdhëniet mes mazhorancës dhe opozitës”, tha ai.
“Listat e hapura, që janë çështje e drejtë, janë një çështje e ngritur me vonesë nga Rama, por është në të drejtën e tij për të krijuar avantazhe për vitin e ardhshëm. Ajo që çedon këtu dhe nuk funksionon është opozita që nuk ka qenë e përgatitur për këtë skenar sesi do të futej në zgjedhje, me kod të ri zgjedhor pa pasur vota në parlament. Ky është ngërçi mendoj që ka krijuar këtë kaos të këtyre ditëve”, tha Kulluri.
Kulluri tha se, “koalicionet janë çështje taktike dhe besoj që opozita ka të drejtën e vet që të jetë për koalicionet duke parë se elektorati i djathtë është i fraksionizuar. Pra kemi disa parti të djathta të vogla të cilat nuk e maksimizojnë dot votën nëse futen në siglën e PD-së në zgjedhje”.
Por shtoi ai, “thelbi i çështjes janë listat e hapura. Unë mendoj që listat e hapura është një kauzë e drejtë”.
Kulluri u shpreh se marrëveshja e djeshme nuk zhbën 5 qershorin. Do të kemi 2 seanca, në njërën do të votohet marrëveshja e 5 qershorit, në tjetër ndryshimet kushtetuese. Kështu që ato mund të ecin paralelisht”.
“U bë e disata herë në 7 vite që për faj të Lulzim Bashës, Edi Rama është një hap përpara në sytë e opinionit publik. Ndërkohë që duhet të ishte e kundërta. Opozita duhet të ishte ajo që frymëzonte, ajo që modernizonte politikën dhe institucionet. Në fakt po ndodh e kundërta. Qëndrimi i PD-së kundër listave të hapura, me apo pa koalicione, për mua është një budallallëk politik i pashoq”, theksoi Kulluri.
/gj.mima/ /a.g/