###

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi, ka vizituar shkolla të Vorës për të inspektuar masat anti-COVID, si dhe për të shpërndarë tableta digjitale për nxënësit e klasave kolektive.
“Një vizitë e mirë sot në shkollën 9-vjeçare ‘Gjokaj’ të Vorës mbi masat anti-COVID dhe procesin mësimor, ku ndër të tjera bashkë me kolegët Elisa Spiropali dhe Sadi Vorpsi shpërndamë tableta për nxënësit e klasave kolektive”- shkruan ministrja në rrjetin social Facebook.

Më pas është vizituar edhe shkolla e mesme “Vajdin Lamaj” në fshatin Domje, një gjimnaz të cilin ministrja Kushi e konsideron model, për sa i përket ambienteve tërësisht të rikonstruktuara dhe sipas standardeve më të mira evropiane. Në fillim të këtij viti shkollor nxënësit kanë hyrë në këto ambiente të rikonstruktuara.

“Jam e kënaqur që nxënësit dhe mësuesit nuk zhgënjejnë asnjëherë për sa u përket respektimit të masave anti-COVID në institucionet shkollore. Prandaj, i falënderoj të gjithë me zemër për përkushtimin dhe rigorozitetin në këtë kohë të pazakontë që po kalojmë”- shprehet ministrja Kushi.