ATSH/ Data 5 qershor është dhe dita e fundit e të gjithë maturantëve në ambientet e shkollave.
Pas tre javëve mësim dhe konsultim, të rinjtë nesër i japin fund ciklit të shkollës së mesme. Në datën 8 qershor, mijëra maturantë do t’i nënshtrohen provimit të parë, që është gjuha e huaj.
Rezana Vrapi, Drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore në një nga mediet e vendit u shpreh se testet janë gati.
“I kemi marrë parasysh të tëra. Tashmë ka një lehtësim të programit mbi të cilin bazohet testi i Maturës Shtetërore. Janë hequr tema të cilat ne gjykuam në kushtet e shtëpisë nuk do të ishin të realizuara ashtu siç do të realizoheshin në kushtet e klasës pavarësisht se në këto tema që duhet të punohen nga maturantët sidomos nga ata që synojnë degë ku të mësuarit ndikon shumë si: inxhinieria, mjekësia etj dhe unë gjykoj që maturantë shumë të mirë që investojnë në dijen e tyre, nuk besoj se i kanë lënë jashtë vëmendjes gjithçka që kanë mësuar edhe në kushtet e shtëpisë”, u shpreh Vrapi.
Për shkak të pandemisë, janë vendosur rregulla edhe më strikte të zhvillimit të testimeve të maturantëve, që nga mënyra e hyrjes në ambientet ku ata do të kryejnë provimet, qëndrimin në klasa, mbikqyrjen nga ana e administratorëve gjatë zhvillimit të testimit.
Vrapi sqaroi se “ka një protokoll shumë strikt, ashtu siç është respektuar edhe në periudhën 3-javore në klasa”.
“Ka një distancë që nuk do të preket mes njëri-tjetrit. Ata do të futen me fasha orare, ata do të jenë në një distancë prej 2 metrash, janë llogaritur deri në një distancë ekstreme në këto 2 metra. Pra nuk është toleruar 1.5 metra. Nëse më parë ka pasur 11, 12 veta, tani do të ketë 9 veta. Në rastet kur një shkollë, për shembull ka 500 maturantë dhe nuk u dalin klasat, do të shfryëzohen ambientet e një shkolle shumë pranë saj”, tha Vrapi. z.tosku/j.p/