TIRANË, 7 korrik/ATSH/ Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtoi sërish sot një lutje qytetarëve që të mos e ulin vigjilencën për asnjë moment, pasi virusi është mes nesh, por të respektojnë masat e vendosura.

Dr. Rovena Daja nga Instituti i Shëndetit Publik në komunikimin e përditshëm lidhur me situatën epidemiologjike në vend tha se “qytetarët duhet të ruajnë distancimin fizik, maskën në ambientet e mbyllura dhe kudo ku nuk ruhet distance dhe higjienën vetjake dhe kolektive”.

Daja i bëri apel edhe bizneseve që të zbatojnë protokollet e miratuara të sigurisë, për të ruajtur shëndetin e qytetarëve.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale kërkon edhe njëherë ndërgjegjësim nga bizneset dhe qytetarët, që të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave të distancimit fizik, vendosjes së maskës dhe higjienës personale. Në rast se dyshoni se jeni i prekur nga COVID19 apo keni patur kontakte me persona të prekur, izolohuni. Në rast se keni shenja të sëmundjes, telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare, 127. Telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për Covid19”, – tha Daja.

Gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë kryer 409 testime për të dyshuar të prekur me COVID19, nga të cilat janë konfirmuar 74 raste pozitive./

ATSH