TIRANË, 18 qershor/ATSH/Rritja e numrit të të prekurve me koronavirus ditët e fundit ka bërë që ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të ripërsërisë thirrjen për kujdes veçanërisht për personat me probleme shëndetësore apo të moshuarit.

Sipas ministrisë së Shëndetësisë, tek këto dy kategori, COVIDI zhvillon forma të rënda të tij, ç’ka vë në rrezik edhe jetën në shumicën e rasteve.

“Të moshuarit dhe personat me probleme shëndetësore paraqesin rrezikshmëri më të lartë nga infektimi me COVID-19. Zbatoni rregullat, mbroni veten dhe të afërmit tuaj nga COVID-19.

Lani duart. Kollituni, tështini në gropën e bërrylit ose përdorni kartopecetë. Ndiqni masat e rekomanduara të distancimit. Pastroni ose dezinfektoni shpesh sipërfaqe. Shmangni aktivitetet publike të panevojshme por komunikoni çdo ditë nëpërmjet telefonit me miqtë dhe familjarët”, apelon ndër të tjera Ministria.

Ditët e fundit, numri i të infektuarve ka variuar në shifrat 82, 69, 50 ç’ka ka sjellë edhe shqetësimin e bluzave të bardha të cilët kanë apeluar përmes medieve të ndryshme, respektimin rigoroz të rregullave të miratuara më herët nga ministria e Shëndetësisë si distancimi fizik apo përdorimi i maskave veçanërisht në ambiente të mbyllura.

ATSH