TIRANË, 14 qershor/ATSH/ Shefi i Shërbimit të Neurokirurgjisë në spitalin e Traumës Fatos Olldashi e cilëson ende të papërfunduar luftën ndaj koronavirusit, duke apeluar qytetarët të zbatojnë rregullat.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka publikuar mesazhin e mjekut të njohur i cili ka kërkuar kujdes nga qytetarët, në kuadër edhe të rritjes së numrit të infektimeve.

“Në këtë periudhë të hapjes ose pas mbarimit të karantinës dua t’i drejtoj një mesazh pacientëve dhe qytetarëve shqiptarë. Përgëzime për përballimin me kujdes të kësaj periudhe shumë të vështirë izolimi por sidoqoftë ju lutem kuptoni: kjo gjë nuk ka mbaruar akoma. Është një virus i cili nxjerr gjëra të reja gjithmonë prandaj duhet të kemi kujdes. Deri tani, të gjithë kemi kuptuar që gjëja më e rëndësishme, trajtimi më i rëndësishëm në këtë virus është kujdesi që duhet të kemi për veten tonë, për të afërmit tonë, për bashkëqytetarët tanë”, thotë Olldashi.

Mjeku u kërkon qytetarëve që të shmangin grumbullimet e panevojshme dhe të ruajnë higjienën personale.

“Prandaj, ju lutem kini parasysh këshillat që ju jepen vazhdimisht me higjienën personale, shmangien e grumbullimeve të tepërta të panevojshme. Në kohën që ju paraqiteni në spital si pacientë apo si të afërm të pacientëve, ju lutem respektoni distancën, respektoni grafikun që ju është caktuar, shmangni sa të jetë e mundur qëndrimin në mjedise të mbyllura të spitalit apo ambienteve të tjera të institucioneve. Është shumë e rëndësishme për shëndetin tuaj dhe për shëndetin e të gjithëve”, përfundon mjeku Olldashi.

 

ATSH