Një ditë më parë si pasojë e disa përgjimeve që çuan në arrestimin e gjyqtares së Krujës, Enkelejda Hoxha, është zbuluar edhe një rast korrupsioni në fushën e shëndetësisë ku sekretarja e gjykatës Manuela Mallkuçi, i ka dhënë para kirurgut Edvin Prifti, me qëllim që ky i fundit të bënte operacion mamanë e saj.
Lidhur me këtë rast ka reaguar mjeku Tritan Kalo i cili në rrjetet sociale shprehet se korrupsioni në Shqipëri vjen si pasojë e sistemit të ngritur në 30 vitet e fundit.
Kalo hedh akuza mbi organet ligj zbatuese, se nuk heton politikanët me gjithë luksin që shihet qartë në në vilat e tyre luksoze.
Postimi i plotë:
Korrupsioni është gangrena e këtij palo sistemit tonë Demon-kratik, që ne u rrekëm të ngremë në 30 vite. i shtrirë kudo dhe i ngjyrosur në blu, rozë apo mavi. Ai shihet mjaft qartazi në vilat lluksoze, POR çuditërisht nuk zbulohet-shkruan Kalo
Mbrëmjen e të enjtes është bërë me dije se SPAK ka sekuestruar pasuri në vlerë mjaft të lartë të mjekut Edvin Prifti, konkretisht 250 mijë euro dhe 16 milion lek (te reja), shtëpi dhe zyrë.
Ndaj tij është vendosur masa “Pezullim nga detyra” për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.