PRISHTINE, 16 qershor /ATSH/ -Klinika Infektive e QKUK-së ka bërë të ditur se sot në Mjekimin Intensiv të kësaj klinike ka ndërruar jetë pacientja N. D. (1946) nga Komuna e Rahovecit.

Ajo ishte pranuar në Klinikën Infektive më 5 qershor dhe përveç infeksionit me COVID -19 kishte edhe sëmundje të tjera shoqëruese.

Në Klinikën Infektive sot janë të hospitalizuar 58 pacientë, prej tyre të sëmurë me COVID-19 janë gjithsej 53 pacientë.

Nga 53 pacientët e infektuar me COVID-19, 33 raste janë në gjendje të stabilizuar, 20 pacientë janë duke u trajtuar me oksigjeno-terapi dhe përkujdesje intensive, prej të cilëve një rast në gjendje të rëndë është duke u trajtuar në Repartin e Mjekimit Intensiv të Klinikës Infektive.

Në pritje të rezultateve janë tre pacientë, ndërsa një pacient i cili rezultoi negativ në testimet e fundit për COVID- 19 vazhdon trajtimin në klinikë.

Sot del nga klinika një paciente e shëruar nga infeksioni me COVID- 19.

Që prej fillimit të pandemisë dhe deri më sot në Kosovë janë regjistruar 34 raste humbje jete.

ATSH