/ATSH/ Kryeministri Edi rama deklaroi sot se “i takon shtetit shqiptar të vendosë përmes Parlamentit të vet se çfarë bën me sistemin zgjedhor”.
Në fjalën e tij në Kuvend duke argumentuar ndryshimet kushtetuese, Kryeministri Rama theksoi se “meqë ne sot po përmbyllim një fazë jo të lehtë të një reforme që falë këtij parlamenti u bë reformë se deri në 5 qershori ishte formalinë. Dua të falëndroj të gjithë deputetët për kontributin e dhënë për ta sjellë këtë ditëe votimi këtu në parlament dhe dua të falenderoj miqtë dhe partnerët që janë përfshirë në këtë proces”.
“Më lejoni t’ua përcjell një mesazh nga kjo foltore të gjithë miqve e partnerëve, uroj ta dëgjojnë siç është mesazhi nga foltorja e një parlamenti sovran , e një qeverie sovrane dhe një Kryeministri që përfaqëson një shtet sovran. Po e nis me çfarë thotë Komisioni i Venecias për sistemet zgjedhore; “Shtetet kanë marshe të gjerë vlerësimi në përzgjedhjen e sistemeve zgjedhore, shtetet gëzojnë këtë marsh të gjerë vlerësimi, pasi këto zgjedhje janë vendime politike. Komisioni i Venecias dhe OSBE-ODIHR nuk rekomandojnë ndonjë sistem të veçantë në mënyrë të ngjashme nuk ka standarde ndërkombëtare që rekomandojnë një metodë specifike apo shkallë proporcionaliteti në lidhje me shpërndarjen e mandateve””, – theksoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “ky është standardi që ka vendosur në unison i gjithë grupi i organizmave ndërkombëtarë që garantojnë votën e lirë. OSBE-ODIHR, Këshilli i Europës, Komisioni i Venecias, Gjykata e Starsburgut. Prandaj miqtë dhe partnerët tanë duhet ta dinë mirë se ky është vendimi i Parlamentit të Shqipërisë dhe i takon shtetit shqiptar të vendosë përmes Parlamentit të vet se çfarë bën me sistemin zgjedhor. Nuk është një zgjedhje që kemi detyrimin ta ndajmë as me ambasadoren amerikane as me ambasadorin e BE-së dhe as me askënd tjetër duke i respektuar makismalisht e duke i konsideruar këtu Zot në vendin e tyre”.
“E them këtë sepse u bënë 30 vjet e nuk mund të bëhen edhe 30 vjet të tjera nëse vazhdojmë të mos i themi gjërat siç janë. Natyrisht nuk është përgjegjësia e ambasadore amerikane, e ambasadorit të BE-së, e Uashingtonit apo Brukselit, Berlinit apo Parisit që ne prej 30 vitesh kërkojmë në anglisht zgjidhjen e problemeve tona që janë probleme shqiptare. Që ne prej 30 vjetësh kërkojmë shahit për të komunikuar me njëri –tjetrin dhe për të zgjidhur problemet që i krijojmë vetë apo që na takon ti zgjidhim së bashku. Nuk është përgjegjësia e tyre dhe për këtë ata meritojnë nderim dhe respekt”-, nënvizoi Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “kur dëgjoj ambasadoren amerikane që thotë “Do t’i ndjekim me vëmendje drejtuesit politikë a do e mbajnë fjalën, apo s’do e mbajnë fjalën”, sinqerisht nuk më vjen mirë, jo për vetëm time por për të gjithë ne. Ajo fjali është një arsye për çdo person në këtë vend qoftë socialist, demokrat, legalist, ballist që kur merr përsipër të përfaqësojë popullin e vet në këtë sallë, në çdo rang tjetër përfaqësimi të mos të mos e bëjë qesharak popullin e vet, vendin e vet, shtetin e vet, sepse e kemi krijuar ne këtë trashëgimi të ulët, e cila është vazhdim i një historie të gjatë mos kuptimesh mes shqiptarëve që kanë çuar shqiptarët në situata të pajustifikueshme”.
/vijon/k.s/