/ATSH – I. Vata/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla gjatë një interviste televizive tha se, ndryshimet në Kodin Zgjedhor sot në Kuvend janë të ngjashme me vende europiane kryesisht me variantin e Kroacisë.

Në lidhje me pyetjen se pse pragu elektoral ka shkuar në nivel kombëtar nga 3 në 1%, Balla tha se, pragu rajonal 3% në parashtrimet e Kodit Zgjedhor ka qenë një lapsus, po të kemi parasysh se ky prag kishte vlerë vetëm në Tiranë.

“Pragu në Kukës ka qenë 33.3% në Gjirokastër 20%, ku është pragu natyror i sistemit. Në ndryshimet kushtetuese të 30 korrikut  ne kemi përcaktuar se do të ketë një prag kombëtar. Në variantin e propozuar fillimisht bazuar dhe në eksperiencat e vendeve europiane, dhe unë do ta votoj variantin e Kroacisë që pragu është 5%. Në atë që u miratuar sot është 1%. Kjo do të thotë se 1% është i barabartë me pragun natyror të sistemit në çdo qark. Që do të thotë se në rast se në Tiranë duhen 12 mijë vota për të marrë një mandat, pragu kombëtar është 15 mijë. Shqipëria është një shtet unitar dhe nuk gjendet asnjë vend në Europë me sistem të ngjashëm që të mos ketë të përcaktuar një prag. Ne kemi bërë pragun më të ulët të mundshëm”, tha ai.

Në lidhje me pyetjen se mos ka hile me uljen e pragut për t’i marrë vota opozitës, Balla tha se di t’u them se ka qenë një proces negocimi me opozitë parlamentare dhe nuk ka asnjë prapaskenë është thjeshtë dhe vetëm një normalitet. Mirë do të kishte qenë të ishte 3%.

Mbi deklaratën e mazhorancës pas marrëveshjes së 5 qershorit se nuk i kemi votat për miratuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Balla tha se, “të gjitha pikat janë negociuar me opozitë parlamentare dhe ka kërkuar edhe çështjen e kandidimit të kryetarit të partisë në 1/3 e qarqeve të vendit dhe në Kuvend kemi dakordësuar me opozitën parlamentare”.

“Kemi zbritur pragun nga 3 në 1% që ua trefishon mundësinë partive të vogla që të hyjnë në Kuvend. I kemi dhënë mundësinë kryetarëve të partive të vogla të cilët nëse nuk arrin në një qark të kenë mundësi të hyjnë në një qark tjetër. Ky është një model që e kanë dhe shumë vende të tjera”, tha Balla.

Në lidhje pse nuk u hapen lista dhe pse u prishën koalicionet, Balla tha se, “në të gjitha  vendet ku aplikohet një sistem propocional rajonal me lista të hapura si i yni, gjithmonë ka një prag për të thyer renditjen që vë partia. Ajo që kemi bërë ne është se kemi marrë fjalë për fjalë sistemin në Kroaci, por edhe në vende të tjera si Holanda, ku pragu është 25% të votave që ka marrë partia. Në Austri pragu është 14%. Ne kemi bërë një ndryshim në atë që u miratua sot, kemi vënë një nivel 10 mijë vota. Në variantin e  parë për partitë e vogla mund të ndodhte që pragu të ishte edhe 20 mijë vota”

“Për sa i përket listës së hapur garohet në 12 qarqe dhe së pari vota preferenciale është e garantuar për secilin kandidat. E dyta, ekzistojnë të gjitha mundësitë që dhe ai që është renditur i pari të mos marri mandati, madje dhe të renditet i fundit”, tha ai.

Në lidhje me heqjen e koalicioneve parazgjedhore, Balla tha se, “tre vite më parë në vitin 2017 në një dakordësi të madhe politike kemi arritur përfundimin dhe kemi zhvilluar një palë zgjedhje me atë sistem ku shqiptarëve u jepej mundësia të votonin pa koalicione sepse duhet të kujtojmë se një nga kërkesat më të vjetra të opozitës jashtëparlamentare ka qenë  që ne te vlerësojmë mundësinë që në një të ardhme të afërt të shkojmë te votimi  apo numërimi elektronik”.

“Të gjithë e dinë që me atë sistem shpikje allashqiptarçe nuk mund të garantoje kurrë një fletë votimi të mundshme me lista të hapura. Ajo që vlen nga ky diskutim është se i kemi të gjitha mundësitë që pas kësaj që ka bërë Kuvendi sot të shkojmë në mundësinë për të votuar apo për të numëruar në mënyrë elektronike, sepse në rast se do të kishim të njëjtin sistem, pra atë që kishim me lista të hapura koalicioni i PS në 2013 do kishte minimalisht në Tiranë 2 mijë kandidatë dhe do kishim një fletë votimi ku përbri koalicionit do të kishim numra pa fund. Shtuar dhe 2000 nga opozita do kishim vetëm në Tiranë 4 mijë kandidatë”, përfundoi Balla. /a.a/