TIRANË, 10 qershor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu u ndalën sot në Krujë, ku panë nga afër projektin e përfunduar për ndërtimin e spitalit të ri në Krujë, pas dëmtimeve të tërmetit të 26 nëntorit.
“Vijmë me lajmin e shumëpritur për të prezantuar projektin e spitalit të ri të Krujës. Do të ketë një rehabilitim tërësor me të gjithë komponentët e duhur. Pas tërmetit të 26 Nëntorit, ky spital ka patur shumë problematika. Ne tashmë kemi përfunduar projektin e ri dhe spitali bashkiak i Krujës do të ketë një rehabilitim tërësor”, u shpreh Manastirliu.
Gjatë prezantimi të projektit ministrja Manastirliu tha se Spitalit të Krujës, me investimin e ri do t’i rikthehen një sërë shërbimesh të munguara dhe do të ketë një kapacitet prej 90 shtretër.
“Risia në projektin e ri është që do të përfshihet edhe materniteti në godinën e spitalit. Spitali do të ketë rreth 90 shtretër, do të ketë të gjitha shërbimet të cilat i nevojiten një spitali bashkiak. Do të ketë pediatrinë, patologjinë, infektivin, sallën e lindjes, kirurgjinë dhe shërbimet që kanë munguar më parë”, tha Manastirliu.
ATSH