ATSH/ -“Vendi ka nevojë për një Kod të ri Zgjedhor, ka nevojë për reformën zgjedhore që të jetë themeli që partitë politike të mbahen larg nga menaxhimi i procesit zgjedhor”.

Deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti deklaroi sot në Kuvend se, “opozita e cila është jashtë kësaj salle, jo në pak raste ka treguar që është e gatshme t’u vërë edhe shkelmin interesave të vendit dhe qytetarëve vetëm për hir të interesit personal të liderve të saj”.

“Duke theksuar se e gjithë puna e grupit teknik është realizuar sipas metodologjisë së rënë dakord në grupin negociator si dhe në të janë reflektuar opinionet me shkrim të ekspertëve të ODIHR dhe Këshillit të Europës”, Gjylameti tha se “afati për përmbushjen e objektivit po afron dhe koha që mbetet në dispozicion për të adresuar një sërë çështjesh të mprehta që ne kemi mbi tavolinën e negociatorëve po përfundon”.

Sipas deputetes socialiste, “realizimi i reformës zgjedhore është një kusht i rëndësishëm për integrimin europian, por mbi të gjitha një premisë shumë e rëndësishme për të gjitha palët politike me qëllim realizimin e zgjedhjeve të lira, të gjithëpranuara dhe demokratike”.

“Ne kemi zgjedhur një arbitër të gjithë së bashku dhe duam ta mbyllim këtë proces me opozitën. Por dëshirat e tyre shpeshherë fëminore nuk mund të kthehen kurrsesi në një pengesë. Për Partinë Socialiste dialogu është i mirëpritur, pasi besojmë se Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë zgjedhje të pakontestuara dhe që konsiderohen shumë të rëndësishme për integrimin europian të Shqipërisë”, tha Gjylameti.

“Ne si mazhorancë mbështesim ndryshimet e propozuar në kodin zgjedhor dhe thellimin e këtyre ndryshimeve për të garantuar depolitizimin e plotë të të gjithë administratës zgjedhore, pasi është një nga rekomandimet e përsëritura në të gjithë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it në të tre zgjedhjet e fundit”, theksoi Gjylameti.

“Detyra jonë tani është që zgjedhjet e 2021 të arrijnë një standard akoma edhe më të lartë, por duhet të punojmë bashkarisht, jo vetëm me opozitën parlamentare, por gjithashtu dhe me atë jashtë parlamentare. Është pikërisht momenti që opozita të ngrihet në përgjegjësinë që i takon dhe jo të kapet pas betejave false sikundër kemi parë këto ditë, duke vendosur dhe në rrezik shëndetin e mbështetësve të saj”, tha Gjylameti.

“Në çdo vend demokratik është opozita e para që të jetë e interesuar të ketë një kod zgjedhor në përmbushje të rekomandimeve të OSBE-ODIHR.  Kishte pikërisht fatin e madh që t’i jepte vendit kodin e ri shumë kohë para zgjedhjeve ç’ka do të jepte dhe mundësinë dhe kohën e duhur për ta implementuar pa nxitim këtë reformë”, shtoi Gjylameti.

Gjylameti foli për një nga propozimet e opozitës që nuk pranohet nga mazhoranca që është “shkrirja e Kolegjit Zgjedhor dhe ngritjen e një trupe gjyqësore, e cila sipas PD dhe LSI t’i nënshtrohet një moratoriumi 4-vjeçar në raport me vetingun”.

Pra, theksoi Gjylamenti, “thënë qartë këto  gjyqtarë që do të jenë pjesë e Kolegjit Zgjedhor nuk duhet t’i nënshtrohen procesit të vettingut deri në përfundim të mandatit të tyre si anëtar të Kolegjit Zgjedhor. Pra me pak fjalë duan që ata që do të duhet të gjykojnë çështje që kanë të bëjnë me menaxhimin e procesit zgjedhor të jenë persona që këto 30 vite e kanë parë sistemin gjyqësor si një sistem thjesht për shitje dhe blerje të drejtësisë”.

/gj.mima/ /a.g/