Një cërrikas në Kombëtare. Bëhet fjalë për portierin e skuadrës së Turbinës, Vokli Laroshin, i cili është thirrur nga tekniku i Shpresave, Alban Bushi, për të qenë pjesë e kuqezinjve të vegjël. Puna e mirë gjatë sezonit që sapo lamë pas me ekipin e Turbinës në Kategorinë e Parë, ra në sy edhe të ekipit Kombëtar. Sezonin e kaluar Laroshi ka bërë paraqitje pozitive dhe për shumë minuta me radhë e mbajti portën cërrikase të paprekur, duke dhënë një kontribut jo të vogël në realizimin e objektivave të ekipit të Turbinës. Gjatë merkatos së verës ndaj tij nuk munguan ofertat si brenda edhe jashtë vendit, por preferoi që të vijonte karrierën në ekipin e qytetit të tij. Në fakt, Laroshi po shkon në gjurmët e idhullit të tij, Alban Hoxhës, i cili nga ana tjetër është pjesë e Kombëtares së madhe prej disa vitesh. Karriera është në ngritje dhe ndoshta një ditë do ta shohim edhe në katërkëndëshin e portës së Kombëtares së madhe.

ELBASANINEWS.AL