LISBONË, 1 qershor /ATSH-AFP/ – Rreth dy muaj e gjysmë pas mbylljes për shkak të pandemisë, kinematë, teatrot dhe sallat e spektakleve do të fillojnë të rihapen duke nisur nga sot në Portugali në kuadër të vazhdimit të lehtësimit të masave kufizuese.

Sallat e sporteve mund të rifillojnë gjithashtu aktivitetet e tyre, me rregulla të reja shëndetësore.

Qendrat tregtare do të mund të rihapin portat me përjashtim të atyre të rajonit të Lisbonës, që ka regjistruar këto ditët e fundit rritje të rasteve me COVID-19.

“Zhvillimi i situatës në rajonin e Lisbonës dallon veçanërisht nga pjesa tjetër e vendit”, theksoi kryeministri Antonio Costa duke shtuar se vendimi për të rihapur qendrat tregtare do të rishqyrtohet të enjten.

“Nga 297 raste të reja me COVID-19, të regjistruara 24 orët e fundit, 268 kanë qenë në rajonin e Lisbonës”, sipas bilancit të fundit të publikuar dje nga Drejtoria e përgjithshme e Shëndetësisë.

ATSH