TIRANË, 2 shkurt/ATSH/ Filmi me metrazh të shkurtër “Prishtinë 2002” me regjisore Trëndelinë Halili dhe producent Ermal Gërdovci, shfaqi premierën në festivalin e filmit të shkurtër Clermont-Ferrand në Francë, njëri prej festivaleve më të mëdha ndërkombëtare të filmit të shkurtër në botë, i kategorisë A, dhe i dyti në Francë pas festivalit të Kanës sa i përket audiencës.
Ky është një sukses i rëndësishëm i radhës për kinematografinë kosovare në përgjithësi dhe filmin e shkurtër në veçanti. Njëkohësisht edhe dëshmi për nivelin dhe kulturën e arritur nga kineastët shqiptarë të Kosovës, në tregimin e copëzave të jetës përmes kinematografisë.
“Prishtinë 2002” u shfaq në ekranet franceze në kuadër të edicionit të 45-të të festivalit, i cili ka nisur më 27 janar dhe do të vazhdojë deri më 4 shkurt 2023.
Realizimi i filmit është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Komuna e Prishtinës, dhe prodhuar nga shtëpia e filmit Kandërr. /j.p/