TIRANË, 16 qershor/ATSH/ Rovena Daja, mjeke pranë Institutit të Shëndetit Publik në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare u shpreh se qytetarët duhet të kenë frikë nga rritja e numrit të të prekurve me COVID-19 dhe të respektojnë rregullat e distancimit fizik.

Rritja e të të infektuarve sipas mjekës, përkthehet në një mungesë frikë ndaj virusit ç’ka ka sjellë edhe uljen e kujdesit nga ana e tyre. “Është e vërtetë që numri i rasteve është rritur dhe sot ka qenë dita me numrin më të lartë të të infektuarve, kjo për faktin se njerëzit nuk e kanë kuptuar që duhet të ndryshojnë stilin e jetesës së tyre, të mos japin dorën, të mos përqafohen, të mos marrin pjesë në ceremoni të ndryshme ku ka grumbullime njerëzish. Por, duhet të qëndrojnë në distancë dhe të përdorin maska mbrojtëse”, tha Daja për ATSH-në.

“Ne ishim jashtëzakonisht mirë me shifrat duke qenë se ishim edhe në izolim por mesa kuptoj njerëzit nuk kanë më frikë dhe shpresoj shumë që të fillojnë të kenë frike për shëndetin e tyre dhe të afërmeve të tyre si dhe të fillojnë të ruajnë distancën nga njëri-tjetri sepse virusi është ende mes nesh dhe duhet të bashkëjetojmë me të përsa kohë që nuk ende nuk ka një vaksinë”, u shpreh Daja për ATSH-në.

E pyetur nëse rritja e shifrave do të rikthejë edhe njëherë izolimin, Daja u shpreh se ky vendim i takon taskforcës.

“Është taskforca që vendos në këtë pjesë. Shpresoj që të ulet numri i rasteve pozitive sepse edhe nga ana psikologjike rikthimi në karantinë nuk do të ishte mirë. Asnjëherë nuk ka një përgjigje lidhur me dyfishimin e numrit të të prekurve por unë shpresoj që ky numër të ulët edhe me ardhjen e stinës së verës. COVIDI është një virus që nuk e njohim shumë ndaj duhet të tregohemi të kujdesshëm deri në fund”, tha ajo.

Daja tha se me rritjen e numrit të të prekurve, rritet edhe rreziku i personelit mjekësor që u shërbejnë pacientëve, pavarësisht se janë të pajisur me të gjitha masat mbrojtëse.

“Me rritjen e numrit të të infektuarve, personeli mjekësor është edhe më i rrezikuar nga ky virus. Normalisht që përdorin të gjitha veshjet dhe pajisjet mbrojtëse por fakti që qëndrojnë me orë të tëra pranë pacientëve dhe u shërbejnë atyre i bën më të rrezikuar.  Nuk është fakti që ata kanë veshjet përkatëse por është edhe procesi i heqjes së këtyre pajisjeve/veshjeve mbrojtëse ku për një moment mund të rrezikojnë infektimin padashje”, shpjegoi Daja për ATSH-në.

Ekspertja argumentoi se pjesa më e madhe e të infektuarve janë vatra familjare por sipas saj ka edhe raste që vijnë nga radhët e institucioneve apo bizneseve private.

“Pjesa me e madhe janë familjarë ndërkohë që kemi edhe institucioneve private dhe biznese. Pra, kemi disa raste nga institucionet ku punonjësit nuk kanë respektuar rregullat dhe kanë qëndruar pranë njëri-tjetrit apo nuk kanë përdorur maskat. Shpresoj që të gjithë institucionet publike, private dhe bizneset të ndërgjegjësohet dhe në rastet kur mund të realizojnë punën online pa dëmtuar biznesit apo institucionin, të zgjedhin këtë mënyrë alternative të të punuarit apo të mund të të punohet me turne në mënyrë që të ketë sa më pak njerëz në punë. Bizneset dhe qytetarët duhet të ndërgjegjësohen dhe të respektojnë rregullat për të mos rrezikuar prekjen nga virusi”, përfundoi mjekja Daja.

ATSH