ATSH/ Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali u shpreh sot se është detyrë e opozitës që të marrë vendimet që i takojnë lidhur me reformën zgjedhore, pasi mazhoranca i ka realizuar detyrimet e saj.

“Ne kemi shprehur vullnetin tonë të mirë për të kryer një reformë zgjedhore sipas rekomandimeve të ODIHR-it. E kemi thënë që në krye të herës, për ne nuk ka patur asnjë dilemë dhe asnjë kusht për të diskutuar dhe jo vetëm kaq por për ta çuar më tej këtë bashkëpunim”, tha ajo.

Spiropali tha se “ne kemi qenë të qartë që  përveç diskutimit formal me opozitën jashtëparlamentare t’u ruajmë vend në tryezë dhe të mos e votojnë reformën zgjedhore pa konsensusin e tyre”. Ajo tha se “ka qenë vendosmëria jonë për t’i përfshirë”.

Lidhur me depolitizimin e procesit të administrimit zgjedhor, Spiroplai tha se “ne jemi i vetmi vend i mbetur në Europë ku administrimi zgjedhor bëhet nga parti politike”.

“Tani jemi në pikën ku Basha duhet të zgjedhë ‘babain’ ose Europën. Topi është në fushën tjetër, presim përgjigjen e liderit të opozitës. A do të bëhet pjesë e zgjidhjes apo do të tërhiqet sërish. Kryetari i opozitës duhet të ndajë nëse është lideri i PD apo jo”, u shpreh ajo.

Spiropali tha se “në këtë pikë nuk janë ata që i vendosin rregullat , nuk mund të marrin peng Reformën Zgjedhore”.

“Ne do të përmbushim detyrimin tonë përpara BE dhe partnerëve tanë. Në rast se Basha do të luaje ngushtë në partinë e tij , apo në rast se Basha nuk emancipohet nga dhuna e kryetarit të vërtetë, ky nuk është problemi ynë”, theksoi Spiropali./m.m/ /a.g/