ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Kuvend se “ODIHR nuk ka qenë dhe nuk është entuziast për përfshirjen e teknologjisë në zgjedhje”.
Në fjalën e tij, Kryeministri Rama tha se “do të përpiqem të fokusohem në dy çështje , njëra një çështje e aktualitetit politik dhe tjetra e aktualitetit qytetar. E kam fjalën për reformën zgjedhore dhe për rastin e dhunimit të të miturës që ka prekur thellë ndjenjat e njerëzve të këtij vendi, të të gjithë neve. Po e nis me reformën zgjedhore, jo për nga rëndësia, por sepse besoj që mes këtyre dy çështjeve pika e fundit duhet vënë tek e dyta sepse shkon përtej debatit të përditshëm dhe të zakonshëm dhe ngre disa shqetësime serioze”.
“Padashur të bëj histori të gjatë, dua të sjell në kujtesën e të gjithëve se qysh pas zgjedhjeve të 2017, ne jemi angazhuar publikisht që të adresojmë me synimin e vënies në jetë në zgjedhjet e 2019 çështjen e elektronikës në zgjedhje. Përsëri nëse u kujtohet qysh aso kohë kam thënë disa herë në mënyrë të përsëritur nëse duan seriozisht se nëse duan të përfshijnë elektronikën në procesin zgjedhor, kolegët që aso kohe kanë qenë në këtë sallë dhe sot janë jashtë kësaj salle, duhet të angazhoheshin menjëherë se bëhet fjalë për një proces jo të lehtë dhe për një sistem të ri që kërkon kohën e vet për t’u vënë në përdorim”, – nënvizoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “këtu kujtoj që asnjëherë në asnjë rast, për asnjë vend, por edhe në të gjitha herët kur është pyetur nga ana jonë dhe nga ana jonë kam parasysh palët politike në vendin tonë, ODIHR nuk ka qenë dhe nuk është entuziast për përfshirjen e teknologjisë në zgjedhje”.
“Gjithmonë e sheh teknologjinë me një dozë të lartë skepticizmi, nuk e inkurajon si një inovacion transformues në funksion të integritetit dhe transparencës në zgjedhje për një mijë e një arsye që dihen dhe për të gjitha kërcënimet potenciale të teknologjisë në zgjedhje. Gjë që ka bërë që vende si Gjermania ta konsiderojnë antikushtetuese pjesën për të përfshirë teknologjinë në zgjedhje dhe po ashtu porosit në mënyrë të prerë që teknologjia në zgjedhje nëse futet duhet të futet me faza dhe jo e gjitha menjëherë”, – theksoi Rama.
Kryeministri Rama sqaroi se “synimi ynë në atë kohë ishte të hiqnim një alibi të opozitës dhe t’i jepnim mundësi të gjithëve atyre, vetes edh njerëzve të kishin edhe në dispozicion teknologjinë. Prandaj kemi bërë një studim për të cilën kam folur edhe publikisht , kemi angazhuar një proces të tërë edhe ekspertimi konkret të teknologjisë duke krijuar në selinë e PS qendra votimi për të parë reagimin nga teknologjisë të shtresave dhe moshave të ndryshme dhe për të patur në fund ide shumë të qartë mbi si dhe sa teknologjia mund të përdorej”.
/k.s/ /a.g