TIRANË, 14 qershor/ATSH/ Deputeti i Partisë Socialiste, Adnor Shameti deklaroi sot se “është shumë e shëndetshme që të ketë hapje listash dhe natyrisht si rrjedhojë të mos ketë më koalicione parazgjedhore”.

“E kotë ta mohojmë që hapja e listave gëzon suport qytetar. Pavarësisht se edhe unë kam bindjen që nuk janë ndonjë recetë çudibërëse, listat e hapura s’duhet të jenë tabu për mazhorancën”, tha Shameti.

Duke folur për marrëveshjen për Reformën Zgjedhore, Shameti tha se “ata jashtë parlamentit e morën çfarë deshën”.

“Madje shumë më shumë se sa u takonte edhe po të ishin sjellë demokratikisht këto 3 vjet. Këtu s’është puna çfarë do marrin këta brenda parlamentit, po çfarë do marrë populli nga ky proces! Ne nuk duhet të shqetësohemi sa do mërziten ata që janë jashtë apo sa do tronditen ata që nuk hyjnë dot me brenda po u shkëputen nga kërthiza e partive të mëdha. Boll besoj u bënë 30 vjet me kryetarë partish pa parti që futen nëpër barqet e partive mëmë, me koalicione të mbyllura për të mbyllur pastaj ca ministri dhe drejtori”, tha Shameti./

 

ATSH