ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama shprehu sot bindjen se “krizën e madhe të 26 nëntorit të shkuar po e kthejmë në një mundësi të madhe transformimi për ato komunitete dhe familje që u prekën rëndë, duke humbur shtëpitë e tyre, por edhe për vetë zonat ku ndodhen”.

Rama tha se “tërësia e projekteve që kanë filluar të zbatohen është një vizion për jetën komunitare dhe cilësinë e jetës së familjes në kushtet kur një fatkeqësi e madhe krijoi dhe një boshllëk të madh, por patjetër edhe një mundësi të madhe”.

“Gjithmonë kriza është edhe mundësi dhe për ata që kanë pasionin dhe mbi të gjitha vullnetin për të rezistuar transformimi i krizave në mundësi është një rrugë e vetme, por padyshim krizat mund të mbeten edhe fillesat e vatrave të një zinxhiri të këqijash nëse ato nuk adresohen si duhet”, tha Rama.

“Në Tiranë, në Durrës, Kurbin, Kavajë, Vorë, Krujë, Fushë Krujë, Lezhë deri në Mirditë, nëse shohim projektet që sot kemi në dorë, pa diskutim që realizimi i tyre do të sjellë transformime të rëndësishme dhe do të çojë përpara me shpejtësi dhe dinamikë të re një proces transformimi urban për shumë zona që do të mbeteshin të tilla për kushedi sa kohë”, tha ai.

Kryeministri iu referua Laçit, “një qytet i ndërtuar rishtas pas Çlirimit, në kohën e diktaturës dhe që faktikisht pas çlirimit tjetër, atij nga diktatura mbeti një zonë që thjesht përjetoi një degradim dhe largim të vazhdueshëm prej saj, sepse u tret ajo qendër graviteti për të cilën u krijua”.

“Sot ne jemi gati për të nisur punën dhe për t’i dhënë asaj zone një impuls të ri duke pasur parasysh edhe faktin që ajo zonë ka një fat, bekim, për shkak të pikës së të pelegrinazhit gjithëkombëtar të Shën Ndout, ku kalojnë çdo vit mbi 1 milionë vizitorë. Pr këta vizitorë nuk ndalen kurrë në Laç, thjesht parkojnë, ngjiten në kodër, kryejnë ritualin dhe largohen sepse nuk ka asnjë mundësi për të hyrë në Laç”, tha Rama.

Me ndërhyrjen e re, si theksoi se “jo vetëm që do të krijohen të tjera kushte jetese për fëmijët dhe të rejat e të rinjtë që kryejnë arsimin parauniversitar në atë qytet të vogël, por shoqëruar edhe me ndërhyrjen përmirësuese të infrastrukturës drejt Shën Ndout, aty me siguri do të krijohen kushte për t’i mbajtur vizitorët më shumë se sa një moment në parkim”.

“Kjo do të sjellë më shumë ekonomi, më shumë konsumatorë, tregti, punësim dhe shumë më tepër arsye qoftë edhe për të shkuar apo për të jetuar në atë qytet”, tha ai.

Rama tha se “e njëjta gjë mund të thuhet për Thumanën që ishte epiqendra e tragjedisë, aty ku tërmeti goditi më fort se kudo tjetër”.

“Faktikisht ishte një pikë krejtësisht e izoluar dhe një zonë mbijetese për inercinë e të qenit nga ai vend. Me ndërhyrjen e re dhe me gjithë atë pyll dhe liqenin pranë, Thumana pa diskutim mund të kthehet në një tjetër pikë të rrugës së atraksioneve që lidhin vizitorin vendas dhe të huaj me Krujën apo edhe me Laçin”, tha ai.

“Kështu me radhë në të gjitha zonat e prekura kemi një mundësi të madhe të bëjmë një transformim historik, por sigurisht duke filluar nga sistemimi i atyre që humbën shtëpitë, që padiskutim do të hyjnë të gjithë pa përjashtim në shtëpi të reja më të mira, më të  bukura dhe shumë më të forta. Mbi të gjitha jo më të rrethuar nga xhungla ndërtimesh kuturu si deri dje në Thumanë, apo ngrehina të rrënuara prej shumë vitesh si në Kombinat, por brenda një sistemi urban bashkëjetese krejt të ri”, tha Rama. /j.p/