Në konviktet e Universitetit Bujqësor Kamzë po punohet me ritme të larta për 8 godina të reja me një kapacitet për 2200 studentë, të cilët do të jetojnë në kushte optimale si në konviktet më cilësore në Europë.
Kryeministri Edi Rama, ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj dhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektuan ecurinë e punimeve.
Gjatë inspektimit Kryeministri Rama tha se “ky është kantieri i madh i transformimit të zonës së degraduar keqaz të konvikteve të Universitetit Bujqësor, në një tjetër shëmbëlltyrë kuptimplote të së ardhmes që duam për arsimin e për vendin tonë”.
Sipas tij, pas goditjes nga tërmeti gjithçka ka nisur nga e para dhe po punohet me ritme të larta.
“Ndryshim radikal, sepse përveç faktit se do të akomodohen studentët me standarde njësoj si në konviktet më të mira në Europë, sjell një ripërtëritje urbane të zonës dhe krijon një gravitet komplet tjetër për gjithë zonën. Do rrisë vlerën e zonës, truallit, të pasurive dhe faktikisht do rrisë shumë vlerën e vetë Universitetit Bujqësor si destinacion studimesh, edhe si destinacion për çfarë kemi diskutuar e folur me stafin e Universitetit për të vënë në dispozicion të fermerëve, të inovacionit dhe të gjithë aspekteve që kanë të bëjnë me laboratorët dhe marrëdhënien me tregun e punës”, – nënvizoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “ndërtimi i konvikteve është 100 % me fondet e buxhetit, jo nga donatorët”.
Ministri Ahmetaj  u shpreh se “godinat do të jenë moderne me standarde europiane, do kene ambientet e ngrënies, të fjetjes e studimit, të konvertuara edhe si qendër komunitare. Bashkë me këto 8 godina bashkia e Tiranës ka filluar punën edhe me dy godina tek Mjekësia dhe një në Qytetin e Studentit. Do të strehohen rreth 2200 studentë. Punimet janë të avancuara”.
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se “disa nga godinat e kanë sheshpushimin në mes të tyre. Konvikti në bashkëpunim edhe me Rektoratin do të shërbejë edhe për bibliotekë, do ketë disa zyra e laboratorë. Në një godinë do jenë 280 studentë, ndërsa kati i parë do jetë si shërbim i përbashkët për to”.
“Deri në verë do të mbarojnë të gjitha karabinatë dhe pastaj do të shfrytëzojmë verën që pavarësisht si shkon hapja e konvikteve, në shtator-tetor të jemi gati”, – tha Veliaj.
“Disa nga zyrat e UBT-së do t’i sjellim te konviktet, po ashtu të shërbejnë edhe si qendra komunitare. Do punojmë shumë me infrastrukturën, në mënyrë që e gjithë kjo zonë mes Tiranës dhe Kamzës të bëhet një nga zonat urbane më cilësore”, tha Veliaj.
8 konviktet e reja që po rindërtohen janë pjesë e Paktit për Universitetin. Godinat do të jenë moderne, me standarde europiane, do kenë ambientet e ngrënies, fjetjes dhe studimit dhe janë konceptuar që të përdoren edhe si qendër komunitare.
Bashkia e Tiranës ndërkohë ka filluar punën me dy godina te Mjekësia dhe një godinë në Qytetin Studenti