TIRANË, 9 qershor/ATSH/Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se ditën e sotme ka jo vetëm një rritje të rasteve pozitivë me COVID-19 por edhe të rasteve të shtrimeve në Spitalin Infektiv.

Ndërsa ditën e djeshme u raportuan 34 pacientë që marrin trajtim në spital, prej të cilëve 6 janë në terapi intensive dhe 2 të intubuar, sot raportohet për 41 raste të hospitalizuar.

Silva Bino, shefe e departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik u shpreh se “ajo që është e rëndësishme të theksojmë sot është që kemi një rritje të rasteve të cilët po trajtohen pranë shërbimit infektiv, të cilat janë 41 raste dhe prej të cilëve 6 janë në terapi intensive dhe 2 të intubuar”.

“Të gjitha këto tregojnë që Covid19 nuk është lehtësuar, nuk është një sëmundje e cila kalon lehtësisht. Një pjesë e mirë e rasteve të cilat janë identifikuar kanë shenja klinike dhe një pjesë e tyre kanë pasur nevojë për shtrim në spital”, u shpreh Bino.

Sipas Binos, kërkohet që në muajt në vijim qytetarët të tregohen më të kujdesshëm akoma. Ajo tha ndër të tjera se brenda 24 orëve të fundit janë shëruar 15 qytetarë duke e çuar numrin total në 960.

“Kjo kërkon që ne të jemi të përgjegjshëm gjatë gjithë këtyre muajve në mënyrë që të mos humbim atë që e fituam me shumë mund. Gjithsesi kemi akoma lajme të mira, ku 15 qytetarë janë shëruar në 24 orët e fundit, duke e çuar ne 960 numrin e të shëruarve nga fillimi i epidemisë. Në vendin tonë janë 305 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë dhe Kamzë”, tha Bino.

Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 18500 testime molekulare dhe serologjike dhe janë konfirmuar pozitivë 1299 raste.

Më tej, Bino u shpreh se “duhet të punojmë të gjithë së bashku në mënyrë që ta ulim këtë numër rastesh ashtu siç e kishim në njëshifror. Kjo kërkon përgjegjshmërinë e të gjithëve, kërkon përgjegjshmërinë tonë por edhe të qytetarëve të cilët duhet të na ndihmojnë me sjelljen e tyre”.

ATSH