TIRANË, 9 qershor/ATSH/ Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar sot se pavarësisht shërimeve ditore, vijon të ketë shtrime të reja në Spitalin Infektiv, ku aktualisht po trajtohen 34 të prekur, nga të cilët 6 janë në terapi intensive, 2 prej tyre janë të intubuar
Shefja e Epidemiologjisë pranë Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini u shpreh se “gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 7 qytetarë, duke e çuar ne 945 numrin e të shëruarve nga fillimi epidemisë. Në vendin tonë janë 284 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë dhe Kamëz”.
“Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 18500 testime molekulare dhe serologjike dhe janë konfirmuar pozitivë 1263 raste. Në Laboratorin e Mikrobiologjisë në QSUT janë kryer 2244 testime serologjike në personel shëndetësor, me një pozitivitet të përgjithshëm rreth 7 %”, u shpreh Tomini.
Tomini ka ftuar qytetarët që të tregohen kujdesshëm duke respektuar distancën mes njëri-tjetrit.
“Ministria e Shëndetsisë dhe Mbrojtjes Sociale ju fton për t’u treguar të kujdesshëm për respektimin e distancës fizike me njëri-tjetrin, evitimin e kontakteve, shtrengimit të duarve dhe përqafimeve, ruajtjen e higjienës personale.
Nëse keni shenja të sëmundjes telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare 127 dhe në linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për Covid19”, theksoi ajo.
ATSH