Drejtori i Qendrës së Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj në një nga mediet e vendit deklaroi se javët e fundit është rritur numri i thirrjeve në ditë në Urgjencën Kombëtare, çka sipas tij përkthehet edhe në rritjen e numrit të të infektuarve.
“Në këtë moment kemi 400-600 thirrje më shumë nga ajo që kemi pasur dy javë më parë. Kuptohet që çdo lirim masash është shoqëruar pas dy-tre javësh edhe me shtimin e numrit të thirrjeve gjë që përkon edhe me rritjen e numrit të të infektuarve, si rezultat janë shtruar edhe ne spital. Kështu që kjo rritje pritej, në mënyrë fiziologjike si mund të thuash, nga lirimi i masave sepse do të shtoheshin kontaktet, kuptohet që çdo lirim mase shoqërohet me mundësi më të mëdha kontaktesh mes njerëzve. Po ashtu e shoqëruar edhe nga shkaqe të tjera të respektimit ose jo të masave dhe higjienës që çon në një shtim të të infektuarve, e cila shndërrohet në një përqindje pacientësh e të shtruarish në spital. Në këtë moment, ne jemi 2400-2500 thirrje nga 1500-200 që kishim zbritur dhe mund të themi nga 1000-1100 që kemi pasur mesataren e 24 orëve më përpara. Sidomos javën e fundit, që ka patur 400-600 thirrje në ditë”, tha Brataj.
Lidhur me pikun e kësaj pandemia, Brataj tha se nuk është arritur akoma. Sipas tij, pritet një rritje e të infektuarve pas dy javësh duke marrë parasysh edhe nisjen nga puna të transportit publik.
“Besoj se jo akoma sepse po bëhet lirim masash, e fundit është transporti publik që u bë javën e kaluar. Pritet akoma sepse pas dy javësh fillon monitorimi ose si të thuash pasojat e lirimit të masave. Pothuajse në kurbën e të infektuarve pacientëve ka pasur disa pirgje që i përkasin lirimit të masave dhe pas 2-3 javësh është shndërruar edhe në shtim të numrit. Mendoj se me rritjen e masave do të ketë akoma një rritje të vogël që është fiziologjike e lirimit të masave që thamë, që shoqërohet me rritje të numrit të të infektuarve”, përfundoi Brataj