TIRANE, 17 qershor/ATSH/- Shefja e Infektivit në Qendrën Spitalore Universitare, Najada Çomo i ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë masat pasi rritja e rasteve ditët e fundit është tepër shqetësuese.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar apelin e mjekes Çomo e cila thekson se në betejën me këtë virus, maska është arma e vetme dhe më e mirë.

“Numri i pacientëve të shtruar në shërbim ka ardhur duke u shtuar. Dua të tërheq vëmendjen që personat e shtruar në spitalin Infektiv, një pjesë e madhe janë në gjendje të rënduar, një pjesë e madhe në terapi intensive. Ajo që dua të theksoj është se qytetarë të nderuar është situatë për t’u shqetësuar nga ana shëndetësore për shëndetin tuaj. Natyrisht që ne jemi në krye të detyrës për t’ju shërbyer, por keni një detyrim madhor të qëndroni sa më larg personave të sëmurë dhe ulni në maksimum qëndrimin në vende publike dhe mos harroni që maska është e vetmja armë mbrojtëse që keni”, thekson Çomo.

Mjekja thekson se “virusi është midis jush, ju bëni hapin për t’u mbrojtur sa më shumë në të kundërt në Shqipëri do të kemi një numër të shtuar personash”.

“Natyrisht virusi nuk ka më përzgjedhje, mund të kapi çdo lloj moshe dhe nuk është vetëm mosha e tretë që preket nga ky virus, por janë moshat e reja që preken dhe që e dërgojnë tek moshat e tjera duke cenuar shëndetin e tyre. Ju lutem kini në vëmendje se ky virus është shumë tepër midis jush tani që janë hequr edhe barrierat, pra vendi është i hapur”, apelon mjekja Çomo

ATSH