ATSH/ Kryenegociatori për aderimin e Shqipërisë në BE, Zef Mazi priti dje në Kryeministri Sekretarin e Shtetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Europën të Sllovakisë, Martin Klus.
Tema kryesore e takimit ishte procesi aktual dhe ndërmarrja e hapave të ardhshmën për rrugëtimin integrues të Shqipërisë në BE. Sllovakia ka qenë një aleat i përkushtuar drejt mbështetjes pa ekuivok të hapjes së negociatave teknike mes Shqipërisë dhe BE-së.
Kryenegociatori i shprehu Klus mirënjohjen për mbështetjen që Sllovakia i ka dhënë Shqipërisë si dhe folën për nevojën e përshpejtimit të proceseve integruese, si për Shqipërinë ashtu dhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, si një trend i cili nuk duhet të zbehet.
Gjithashtu Kryenegociatori Mazi bëri një pasqyrim të realizimit plotësisht nga Shqipëria të detyrave të lëna në Konkluzionet e Këshillit të marsit 2020.
Sekretari i Shtetit, Klus shprehu vlerësimet më të larta për reformat e ndërmarra nga Shqipëria në fushën e drejtësisë, lirive themelore dhe luftën ndaj krimit të organizuar. Ai nënvizoi se Reforma në Drejtësi e Shqipërisë është reforma më e plotë e realizuar në këtë fushë nga një vend kandidat për BE-në.
Kryenegociatori Mazi dhe Sekretari i Shtetit sllovak ranë dakord për vijimin dhe hapjen e konferencës së parë ndërqeveritare Shqipëri BE.
Gjithashtu u ra dakord për të krijuar bashkëpunime teknike mes dy vendeve për disa fusha të caktuara ku Sllovakia ka ekspertizën e duhur. Sekretari i Shtetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Europën të Sllovakisë, Martin Klus ftoi Kryenegociatorin Zef Mazi për një vizitë zyrtare në Sllovaki gjatë muajit maj. /