TIRANË, 18 qershor/ATSH/  Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “nuk është opinion është fakt që Shqipëria sot ka një bilanc pozitiv në luftën me krimin”.

Në fjalën e tij në Kuvend, kryeministri Rama tha se “lufta me krimin nuk matet me përrallat dhe gjysmë të vërtetat që janë edhe gënjeshtrat  më të mëdha,  që ju tregohen shqiptarëve përditë e përditë, por matet me statistika, matet me fakte, me shifra”.

“Sigurisht ajo që thoni ju zerimi i vrasjeve, i vëllavrasjes siç e quani ju, është një përrallë pa mbret, sepse nuk ka asnjë vend demokratik që të ketë zeruar vrasjet, nuk ka, nuk ekziston. Nuk ka asnjë vend demokratike dhe vendet më të zhvilluara, më të sofistikuara që kanë e kthyer në akt luftën kundër krimit nuk i kanë zeruar as vrasjet, as trafiqet, as kriminelët as policët e korruptuar”, – theksoi Rama.

Sipas tij, jo shumë kohë më parë drejtoi i policisë në një prej vendeve qe rankohen më lart botërisht prej vitesh, Finlanda me kriminalitet të ulët dhe korrupsion thuajse zero doli se për vite e vite kishte bashkëpunuar me krimin.

“Besoj se fakti që gjatë qeverisjes sonë janë në numër të konsiderueshëm punonjësit e policisë që janë arrestuar apo janë çuar për hetime penale, apo përjashtuar nga policia apo pezulluar, nuk tregon bashkëpunim me krimin, nuk tregon një fakt si ai që përshkruani ju. Tregon të kundërtën , tregon vullnet e angazhim për të luftuar qoftë përballë qoftë edhe brenda vetes”, – tha Rama.

Kryeministri Rama iu drejtua deputetëve të opozitës se “ju, duhet ta lexoni raportin e progresit, Bashkimi Europian, Komisioni Europian janë monitorë të pa korruptueshëm dhe  të  pa diskutueshëm të gjithë proceseve në të gjitha fushat dhe nëse shihni se çfarë thonë raportet e progresit në ecurinë e tyre për luftën kundër krimit në Shqipëri do të shikoni ndryshimin e madh mes të sotmes e të djeshmes”.

ATSH