Ndonëse ritmet e vaksinimit kanë qenë të larta dy muajt e fundit, sërish Shqipëria mbetet shumë më poshtë se pjesa më e madhe e vendeve të Europës dhe mesatarja europiane për imunizimin e popullatës nëpërmjet administrimit të dozave të vaksinave.

Sipas të dhënave të Worldindata, të përditësuara deri në datën 4-5 maj, në Shqipëri ishin dhënë 19.3 vaksina për 100 banorë, në krahasim me 32.3 që është mesatarja europiane dhe rreth 36, që është mesatarja e Bashkimit Europian dhe pak më lart se mesatarja globale prej 15.5.

Worlindata mat numrin e përgjithshëm të dozave të vaksinimit të administruara për 100 persona në popullsinë totale. Kjo llogaritet si një dozë e vetme dhe mund të mos jetë e barabartë me numrin e përgjithshëm të njerëzve të vaksinuar, në varësi të regjimit specifik të dozës (p.sh. njerëzit marrin doza të shumëfishta).

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë, në vend, deri në 5 maj janë kryer në total 538,565 doza të vaksinës ndaj COVID-19. Mbi 419,246 vaksinime janë për persona mbi 60 vjeç. Deri më 4 maj, mbi 100 mijë të vaksinuar me dy doza.

E para në Europë ka kaluar Malta, që ka administruar 80 doza për 100 banorë. Mbretëria e Bashkuar vijon të ruajë ritme të larta, me 75 doza për 100 banorë, e ndjekur nga Hungaria që e ka këtë tregues në 66.

Në Ballkan, kryeson Serbia, me gati 52 doza për 100 banorë, duke u renditur edhe i katërti në Europë.

Shqipëria vijon të renditet ndër 10 shtetet europiane, që kanë bërë më pak vaksinime, ndonëse pas Serbisë është e dyta në Ballkan për ritmin më të shpejtë. Rritje javët e fundit ka shënuar dhe Mali i Zi (13.6). Mbrapa janë me vaksinimin Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Bosnjë- Hercegovina, që nuk kanë arritur të japin më shumë se 5 doza për 100 banorë.

Në vendet e tjera të Europës, Turqia ka administruar 28.5 doza për 100 banorë, Italia 36.5, Greqia 31.7, Kroacia 23.8.