TIRANË, 11 qershor/ATSH/ Pas provimit të gjuhës së huaj të zhvilluar në datën 8 qershor, ditën e sotme maturantët do t’i nënshtrohen provimit të dytë të maturës shtetërore, atë të gjuhës shqipe.

Për shkak të pandemisë dhe masave mbrojtëse, çdo shkollë do të jetë qendër provimi. Këtë vit dhe teza dhe kohëzgjatja e provimit janë të kushtëzuara nga situata e koronavirusit.
Provimi i gjuhës shqipe sot nis në orën 10:00 dhe përfundon në orën 12:00. Testi i gjuhës shqipe është i ndërtuar i gjithi me alternativa. Testi përmban 60 pyetje me secila nga 1 pikë. Të gjithë maturantët do të jenë të pajisur me maska dhe doreza dhe do të ruhet distanca.

Edhe korrigjimi do të jetë tërësisht elektronik dhe vetëm në Qendrën e Shërbimeve Arsimore në Tiranë. Fleta e përgjigjeve është më e rëndësishmja e këtij procesi, pasi të gjitha përgjigjet e testit do të lexohen dhe vlerësohen nga korrigjuesi elektronik. Specialistët këshillojnë maturantët të mos e dëmtojnë, pasi nuk dublohet dhe ta plotësojnë si duhet.

Në gjithë vendin janë 32 126 maturantë që do t’i nënshtrohen testit, që do të zhvillohet në 486 qendra provimi. Maturantët do t’i nënshtrohen provimit të matematikës më 15 qershor dhe më 18 qershor do të zhvillojnë provimin e lëndës me zgjedhje.

ATSH