TIRANË, 18 qershor/ ATSH/-Rreth 32 mijë maturantë do t’i nënshtrohen sot provimit të fundit të Maturës Shtetërore, atë të lëndës me zgjedhje.
Për shkak të pandemisë dhe masave mbrojtëse, çdo shkollë ka qenë qendër provimi, sikurse do të jetë edhe në këtë provim.
Provimi i lëndës me zgjedhje do të zhvillohet në orën 10:00 dhe përfundon në orën 12:30. Testi është i ndërtuar i gjithi me alternativa. Testi përmban 60 pyetje secila nga 1 pikë. Ndërkohë që të gjithë do të jenë të pajisur me maska dhe doreza dhe do të ruhet distance.
Edhe korrigjimi do të jetë ndryshe, tërësisht elektronik dhe vetëm në Qendrën e Shërbimeve Arsimore në Tiranë. Fleta e përgjigjeve është më e rëndësishmja e këtij procesi, pasi të gjitha përgjigjet e testit do të lexohen dhe vlerësohen nga korrigjuesi elektronik. Specialistët këshillojnë maturantët të mos e dëmtojnë, pasi nuk dublohet dhe ta plotësojnë si duhet.
Maturantët kanë kryer më herët, pra me 8 qershor provimin e Gjuhës së Huaj, për të vazhduar më datë 11 qershor me Gjuhën Shqipe, me Matematikën më 15 qershor dhe ditën e sotme me provimin e lëndës me zgjedhje. Maturantët mbyllin sot ciklin e provimeve për të vijuar me aplikimet në universitet.
ATSH