Qytetarët në nevojë të Elbasanit kanë nga sot një tjetër derë të hapur në Klinikën Ligjore pranë Universitetit “Aleksandër Xhuvani” për të përfituar ndihmë juridike parësore falas, ndërsa për studentët ofrohet përvojë praktike.
Ministria e Drejtësisë dhe Universiteti “Aleksandër Xhuvani” Elbasan nënshkruan memorandumin e mirëkuptimit, duke fuqizuar klinikat e ligjit dhe ndërtuar ura mes arsimit të lartë dhe shërbimeve publike.
Në ceremoninë e nënshkrimit ishte i pranishëm edhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.
Manja vuri në dukje se ky bashkëpunim synon që studentët e drejtësisë të fitojnë përvojë praktike pranë Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas dhe të luajnë një rol aktiv në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve në nevojë.
“Përmes kësaj nisme, hapim dyert e Ministrisë së Drejtësisë për brezat e ardhshëm të profesionistëve, duke i fuqizuar dhe përgatitur ata për të kontribuar në ndërtimin e shërbimeve cilësore dhe në forcimin e aksesit në drejtësi për të gjithë qytetarët tanë”, u shpreh ministri.atsh