Tana Kika do të jetë drejtuesja e Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB).

Kika u prezantua sot nga Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi.

AKVMB është një institucion i krijuar së fundmi, i cili do të ketë një rol të rëndësishëm në ofrimin e shërbimit veterinar për kafshët dhe në sigurinë e ushqimeve me origjinë shtazore.

Në fjalën e saj, ministrja Ekonomi shprehu besimin që ky institucion do të çojë më përpara reformat që kanë nisur më Shërbimin Kombëtar Veterinar, duke garantuar shëndetin e kafshëve dhe sigurinë ushqimore si një prioritet absolut i punës së ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, pa lënë mënjanë dhe mbrojtjen e bimëve.

Ky Autoritet kombëtar dhe katër agjencitë rajonale në Tiranë, Shkodër, Elbasan dhe Vlorë do të koordinojnë më mirë kontrollin në territor duke u shërbyer nevojave të fermerëve.

“Qeveria shqiptare është e angazhuar në lehtësimin e barrës së shpenzimeve të fermerit dhe për këtë arsye ka mbështetur matrikullimin dhe vaksinimin falas, procese këto që monitorohen dhe kryhen nga specialistët e AKVMB-së në të gjithë vendin”, tha ministrja Ekonomi.

Ky takim shërbeu edhe si një mundësi e mirë e koordinimit me institucionet e tjera si AKU, AZHBR dhe AREB.