ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot duhet të garantojmë përfaqësimin e grave në Parlament, duke e konsideruar si një arritje të rëndësishme.

“Por jo vetëm e Shqipërisë në sytë e të tjerëve, por e Shqipërisë në raport me veten. Shqipëria është rritur në vite, dekada e shekuj si një vend burrash, por në fakt, në Shqipëri shpëtimi gjithmonë kanë qenë gratë, edhe pse nuk janë dukur, parë e treguar si të tilla”, vuri në dukje kryeministri.

Rama tha se edhe ky Parlament pavarësisht se ç’thonë nga ai i mëparshmi e kështu me radhë, pikërisht se është shtuar prania e grave e vajzave në këtë sallë.

”Ne këtë arritje nuk mund ta rrezikojmë“, deklaroi Rama.

Këtu, theksoi Rama, nuk jam dakord me Rudina Hajdarin kur thotë se të gjitha gratë duhet të konkurojnë njëlloj si burrat.

“Është në parim e duhur, por ka një shpjegim për këtë, që botërisht i jepet arsyes pse kuotat janë të rëndësishme. Sepse që gratë të konkurojnë njëlloj si burrat duhet që jeta e tyre të jetë njëlloj si e burrave, që shoqëria ti pranojë si pranon burrat, jo vetëm me fjalë por me fakte, duhet që pozicioni i tyre të jetë njëlloj. Dhe ne e dimë shumë mirë që nuk është”, deklaroi kryeministri

Edhe vende më të zhvilluara se ne, vuri në dukje kryeministri, e mbajnë këtë balancë me kuota.

“Heqja e kuotave në emër të barazisë së konkurimit është njëlloj si të thuash që janë në kushte të barabarta dy skuadra të cilat kanë të njëjtin numër njerëzish por njëra i ka “këmbët e lira” tjetra të lidhura. Të dyja duhet t’i kenë “këmbët e lira” për të vrapuar njëlloj. Në këtë aspekt, në Shqipëri gratë ende nuk i kanë “këmbët e lira” për të vrapuar, njëlloj si burrat. Nuk kamë dëgjuar në Shqipëri që të ketë dhunë ndaj burrave, por kam dëgjuar që ka dhunë ndaj grave”, deklaroi Rama./a.gjonaj/ /a.g/