/ATSH-Gjergji Mima/ -“Ne e kemi vendosur në draft që KQZ-ja merr detyrën të realizojë votën e emigrantëve”, deklaroi sot kryeministri Edi Rama.

Në fjalën e tij në seancën plenare në Kuvend, Rama foli për votën e emigrantëve, duke theksuar se, “realizimi i votës së emigrantëve është një sistem dhe ti nuk mund ta fillosh punën kur të vjen në fund veza midis dilemës a të hyj apo të mos hyj në kotec”.

“Vota e emigrantëve. Se pashë emigrantë që i kemi këtu në Tiranë që shkruanin ne emigrantët duam votën. Pashë edhe mediat që thonin mashtroi. Se këto fjalët e mëdha që kanë humbur çdo kuptim në Shqipëri. Që fjala krim është njësuar me fjalën ajër i kondicionuar, ujë, drita. Fjala korrupsion, vjedhje, grabitje, hajdut mashtrues, janë njëhsuar me fjalën zonjë, zotëri si jeni nga shtëpia e këto”, tha Rama.

“Mashtroi emigrantët Partia Socialiste. Si i mashtruam? Ne njësoj si për elektronikën edhe për këtë e dimë shumë mirë që nuk është thjesht ta thuash, por duhet ta bësh dhe ne e kemi vendosur në draft që KQZ-ja merr detyrën të realizojë votën e emigrantëve”, u shpreh Rama.

“Të presim ata që kanë topin, sipas asaj që u tha. Të thonë se ku e do e çojnë topin. Do e  nxjerrin nga stadiumi? A do e krosojnë? A do e kapin do thonë topi është i imi penalltinë do e gjuaj unë? Po të presim. Po t’i referohemi Bibliotekës së Fëmijëve në Kamëz, topi nuk do gjuhet po do mbahet poshtë fanellës”, tha Rama.

“Nuk e dimë se si do shkojë procesi. Ajo që dimë është që ne nuk e kemi harruar, të tjerët mund ta kenë harruar, ne s’e kemi harruar që ka dhe një opozitë tjetër këtu dhe që duhet të votojë këtu dhe procesi do të vazhdojë duke ndarë draftin e marrëveshjes me ju. Pa ju lënë që ta merrni këtë nga mediat, nga gazetarët, nga analistët, nga moralistët që e keni parasysh na akuzojnë të gjithëve që jemi të gjithë njësoj”, tha Rama. /a.g/