Me shqiponjën dykrenare të stampuar në kokore, Herolind Nuredini, ‘fluturon’ në pistat e Kart Racing, me ëndrrën e madhe që një ditë të garojë në Formula 1.
Është vetëm 14-vjec dhe cilësohet si një ndër talentet më të mëdhenj në Gjermani. Ka lindur në Hamburg, por origjina e tij është nga qyteti i Tetovës, në Maqedoninë e Veriut.
Cilësohet si një sport i rrezikshëm, por për Herolindin makinat dhe shpejtësia janë pasioni i tij më i madh. Për këtë arsye, nisi edhe të ushtrohet që në moshën 7-vjeçare. Prej talentit dhe përkushtimit të madh, potenciali i tij ra në sy edhe të Ralf Schumacher, vëllait të legjendës së “kokëkuqes”.
Keni lindur në Gjermani, e tashmë jeni duke u rritur në shumë shtete njëkohësisht ndërsa shkoni për gara të ndryshme, por origjina juaj është shqiptar. E quani veten shqiptar apo gjerman?
Unë e quaj veten shqiptar dhe krenar, sepse e dua Shqiptarinë me gjithë zemër. Familja ime ma ka mësuar gjuhën dhe traditën shqiptare që kur kam lindur. Ajo që unë aspiroj është të përfaqësoj më së miri vendin tim. I jam shumë mirënjohës atdheut dhe dua të jap maksimumin tim për atë.
Ndërsa Gjermania më ka dhënë mundësi për të ndjekur sportin tim të preferuar. Në Shqipëri apo Maqedoni të Veriut nuk do e kisha pasur këtë mundësi, që të garoja me një ekip e të kisha gara në të gjithë Europën. Nëse vendi im do të më mundësonte çfarë më mundëson Gjermania, patjetër do të garoja për Shqiptarinë.
Kur dhe si ka qenë momenti i parë që keni hipur në një makinë garash? I mbani mend ato emocione, frikërat?
Momenti i parë që kam hipur në një makinë garash ka qenë kur isha 7 vjeç. Ato emocione vazhdoj t’i mbaj mend edhe sot, madje dyshoj se do t’i harroj ndonjëherë. Ka qenë shumë e veçantë për mua, pasi shpejtësia dhe makinat më kanë mahnitur gjithmonë. Edhe prindërit më thonë se që kur kam qenë 1 vjeç, doja vetëm makina apo përqëndrohesha në ekran ndërsa garonin. Ndoshta që aty më është kultivuar dhe pasioni për të garuar. Pasi, unë nuk e mbaj mend ndonjëherë veten që të mos kem pasur këtë ëndërr (qesh).
Si është një ditë për Herolindin, regjimi që duhet të ndiqni?
Në fillim ka qenë pak e vështirë, sepse kuptova që nuk është kaq e thjeshtë sa mund të duket. Nuk mjafton që të dish të ngasësh makinën dhe je gati. Absolutisht që jo, duhet të bësh ushtrime fizike, sidomos te krahët, shpatullat e qafa. Në mënyrë që të mos kesh probleme për peshën apo ndërsa je duke ecur me shpejtësi. Duke qenë se tani më është bërë rutinë, është më e lehtë për mua të ndjek regjim. Bëj shumë kujdes me ushqimet që ha, të jenë sa më të shëndetshme. Shoqëruar me sport dhe mental training, të cilat i bëj çdo ditë.
Nuk jeni si shumë nga 14-vjeçarët e tjerë, jeta juaj është shumë intensive. Por, sa ngjasoni ju me bashkëmoshatarët e tuaj?
Unë studioj në një shkollë të vogël në Hamburg dhe duke qenë se kam shumë kohë që merrem me këtë sport, të gjithë më njohin. Ka shumë raste që edhe profesorët më referojnë si shembull, por mua nuk më pëlqen aspak kjo gjë. Nuk e ndjej veten ndryshe pse garoj, apo të më rritet mendja. Unë këtë gjë e bëj sepse e kam pasion shumë të madh dhe jo se dua të dal si më i mirë nga bashkëmoshatarët e mi. Shumë prej shokëve të mi kanë talente të tjera, prej të cilëve unë mësoj shumë.
Si është jeta shkollore për Herolindin, a ju ka penguar përkushtimi drejt këtij sporti?
Kjo është një nga sfidat më të mëdha për mua, sepse duhen koordinuar në mënyrë perfekte. Nuk më pëlqen të ngelem pas në shkollë, po aq pak të lë pas dore pasionin tim. Prandaj mundohem dhe me ndihmën e prindërve, të gjej balanca. Po ashtu profesorët e mi janë treguar shumë mirëkuptues dhe më kanë dhënë mbështetjen e tyre.
Herolindi ka marrë pjesë rregullisht në kualifikuese dhe në gara zyrtare, ku podiumi nuk i ka munguar. Në Karting nuk ka ndarje kategorish moshe, e kjo ka bërë që ai të përballet edhe me garues në moshë shumë më të madhe, por duke qënë gjithmonë në podium duke u shpallur edhe kampion i Gjermanisë në Ampfing.
Rezultate të mira gjatë vitit 2020 ka marrë edhe në: ADAC – Kart Masters Kerpen: vendi i 2 nga 46 shoferë, Wackersdorf: vendi i 2 nga 33 shoferë, DKM – Deutsche Kart Meisterschaft Kerpen: vendi i 2 nga 38 shoferë, Oschersleben: vendi i 2 nga 21 shoferë.
Ndërsa është renditur edhe i 13-të nga 108 shoferë, në një ndër garat më të rëndësishme, “Kampioni i së ardhmes”. Po ashtu është shpallur kampion i Gjermanisë në Ampfing. Edhe ky vit ka nisur mjaft mirë për talentin shqiptar, i cili beson se do të arrijë majën dhe të bëj një hap të rëndësishëm në karrierë.
A mundeni të na rrëfeni një ngjarje të vështirë apo sikletshme gjatë garimit dhe si keni arritur ta superoni?
Ndërsa je duke garuar edhe sekondi që kalon ka shumë rëndësi, prandaj momente të vështira ka gjithmonë. Një prej tyre ka qenë një vit më parë në Portugali për ëM, ku më kanë shtyrë jashtë në start dhe fatkeqësisht gara përfundoi për mua. Ai ka qenë moment shumë i vështirë për mua, sepse isha shumë i sigurt dhe entuziast për atë garë.
Momenti juaj i preferuar?
E gjitha gara mua më jep një ndjesi që nuk di si t’ua përshkruaj, por jam si në qiellin e shtatë. Ka jashtëzakonisht shumë adrenalinë dhe emocione, të cilat shtohen edhe më shumë nëse fiton. Një prej tyre ka qenë fitorja që kam pasur në Evropa Meisterschaft ne Francë për kaulifikueset. Kam qenë shumë krenar me veten dhe janë pikërisht këto gëzime që më japin shtysë të vazhdoj të luftoj për të përmirësuar edhe më shumë veten.
Historia e Herolindit të kujton edhe fillimet e idhullit të tij, Lewis Hamilton. Ylli i Mercedes e nisi karrierën e tij pikërisht në pistat e Kart Racing në moshën 8 vjeçare. Teknikët e kanë cilësuar Nuredinin si talentin e së ardhmes, i cili shumë shpejt do të jetë pjesë e Formula 1.
Sa shumë aspiron Herolindi, a është kjo pikënisja për të shkuar drejt F1?
Patjetër, ky është edhe synimi im. Ndaj edhe kam nisur me karting, për të garuar me makinë të madhe ose drejt F1. Aspiroj të jem si Lewis Hamilton, e ndjek shumë si shembull. Por, për të shkuar drejt F1 veç profesionalizmit që duhet të jetë shumë i lartë, duhet më tepër mbështetje financiare. Unë shpresoj shumë që të arrij të gjej sponsor për këtë gjë.
Sa e vështirë është të ndjekësh këtë pasion nga ana monetare, duke pasur parasysh edhe lëvizjet e shumta në shtete të ndryshme?
Është pak e vështirë, pasi ka shumë shpenzime. Momentalisht më mbështet vetëm familja ime dhe ata janë edhe suporti im më i madh. Janë forca që më motivojnë për të mos hequr dorë edhe kur gjërat janë vështirësuar. Kjo është edhe një arsye përse unë punoj kaq fort e të bëj familjen krenare.
Cila është skuadra ku bëni pjesë dhe një këshillë nga ekspertë të fushës qw ju ka mbetur në mendje?
Unë jam pjesë e TB Racing team dhe jam shumë i lumtur, pasi më ka dhënë shtysë të njihem me njerëz të mrekullueshëm. Një prej tyre ka qenë edhe Ralf Schumacher, i cili më ka bërë të besoj edhe më shumë të vetja. Kemi folur për disa orë dhe më ka dhënë shumë këshilla si të garoj e të arrij të jap maksimumin tim. Për mua çdo fjalë e tij ka qenë shumë e vlefshme.
Urojmë që karriera juaj të jetë sa më e suksesshme, nëse do të arrini majat, a do e ngrini flamurin kuqezi në qiell?
Faleminderit shumë për urimet tuaja, si edhe për mundësinë që më dhatë për tu njohur edhe më shumë me njerëzit e mi, gjithë shqiptarët. Unë e them gjithmonë me shumë krenari që jam shqiptar dhe flamuri im gjithmonë ai do të jetë.
VLADIMIR MEMA/PANORAMASPORT