ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “në draftin e Bundestagut gjerman, përpara se të kthehej në një dokument të aprovuar dhe pastaj të marrë dhe të përfshirë në dokumentin e Komisionit Europian dhe miratuar nga Këshilli, në variantin e parë ishte konsensusi dhe është hequr konsensusi në atë variant, pikërisht për të mos lejuar asnjë palë të marrë peng zgjedhjet”.

Në fjalën e tij në Kuvend Rama theksoi se “është vendosur një kornizë shumë e qartë, nga e cila palët nuk mund të dalin nëse nuk duan të dalin për vullnetin e tyre që si pengon njeri, por ama asnjë palë nuk mund të detyrojë tjetrën të dalë nga korniza e rekomandimeve të OSBE-ODIHR”.

“Në rekomandimin e Bundestagut thuhet një reformë zgjedhore mbi bazën e rekomandimeve të OSBE-ODIHR e miratuar në parlament. Përse u shtua fjala ‘në parlament’, në kohën kur ata kishin ikur nga parlamenti? Për të dhënë mesazhin e qartë se rekomandimet e ODIHR-it janë baza dhe mbi këtë bazë gjykimi mund të bëhet pa problem prej atyre që na monitorojnë, sepse është një gjykim teknik ekspertësh dhe kjo bazë votohet në parlament në të gjitha rastet, në rast se dikush tenton ta bllokojë duke qenë jashtë parlamentit”, – nënvizoi Rama.

Ne, vijoi Kryeministri, preferuam të durojmë edhe pse puna e bërë nga përfaqësuesit tanë më në krye Damian Gjiknurin me grupin e ekspertëve, me përfaqësuesit e ekspertëve të tyre ishte ezauruese në raport me rekomandimet ne nuk erdhëm këtu në parlament në fund të vitit të shkuar, siç unë e pata lajmëruar duke thënë hajde ta votojmë, sepse e konsideruam më të rëndësishme që të prisnim me shpresën se do të gjejmë konsensus edhe nga pala tjetër.

Ai shtoi nuk e kam pasur asnjëherë këtë shpresë, pasi e di, siç e dimë ne, siç e di shumica e shqiptarëve, që për politikë “nuk ua ha qeni shkopin”, megjithatë preferuam të presim.

“Në këtë proces janë dy tema faktikisht, është tema e vendosur në tryezën e forcave politike nga BE që për herë te parë në historinë e vet ndërhyn në një çështje ekskluzive të politikës së brendshme që është zgjedhja e një sistemi dhe një kodi zgjedhor që të gjitha vendet e kanë sipas vullnetit të parlamentit të tyre, kjo falë gjithë baltës dhe sherrit dhe rrëmujës që u stimulua me llum nga pala që s’mungon këtu sot, duke përdorur lidhjet e veta në Bundestagun gjerman për të imponuar këtë axhendë, s’ka problem”, tha Rama.

Më tej, Kryeministri u shpreh se “Shqipëria e ndonjë vend tjetër, Kosova për arsye krejt të tjera, janë raste unikale. As në Itali, Greqi, Francë, askund tjetër nuk bëhen me konsensus reformat elektorale. Është shumë e thjeshtë: kush ka votat në parlament, ka të drejtën të bëjë reformën që e shikon më të arsyeshme”.

“Greqia para pak kohësh ndryshoi një sistem elektoral të konsoliduar prej shumë e shumë vitesh me mazhorancë dhe me kundërshtimin agresiv të minorancës. Kaloi nga sistemi proporcional me bonus përfituesi në një sistem proporcional të pastër pa bonus. Është e drejta e tyre dhe detyrimi i të gjitha palëve të respektojnë parlamentin, pavarësisht se në pamje të parë ndryshimi sistemit në atë mënyrë i heq atij vendi atë mundësi të madhe që i dha sistemi i konsoliduar për shumë e shumë vite për ta pasur vendin të qeverisshëm pa qenë të shantazhuar nga parti të vogla dhe nga lloj lloj forcash që me proporcionalin e pastër marrin peng edhe më të madhin, edhe më të gjatin edhe më të bukurin”, – nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “vazhdoi puna dhe u vendos një afat tjetër 31 maji. Përse 31 maji? Për një arsye të thjeshtë, pasi parlamenti duhet të ketë kohën e vet për të shqyrtuar dhe bërë procedurën dhe për të kaluar në votim. 31 maji nuk solli rezultat”.

Ndërsa duke folur për bisedimet për Reformën Zgjedhore, Rama tha se “më vjen shumë keq që në vitin 2020 politika shqiptare ka nevojë për ambasadorë të huaj që të hyjnë në mes, që të shkojnë e të vijnë, që të bëjnë përkthyesin shqip-shqip në anglisht dhe të lehtësojnë thjesht procesin e komunikimit”.

“Kjo është një gjë e vetme që mjafton për të treguar stadin adoleshent të politikës shqiptare në tërësi, dhe të liderëve që nuk kanë kurajon që për gjëra të cilat janë në interes përbashkët partiak të mos ngrenë telefonin e të thonë: Gjithçka vazhdon si më parë midis nesh, por për këtë duhet të flasim”, shtoi Rama.

Kryeministri tha se “nuk i kam kërkuar unë ambasadorët dhe nuk i kërkoj unë ambasadorët, por meqënëse të tjerët e kishin të pamundur të uleshin shqiptarë me shqiptarë për të bërë shkëmbimin e opinionit të tyre, ishin të gatshëm të uleshin me tri palë përkthyes shqip-shqip dhe ne e pranuam. Unë u jam mirënjohës ambasadorëve që dalin nga roli, mandati dhe puna e tyre duke bërë arbitrin duke parë pingpongun shqiptar”. /k.s/ /a.g//r.e/