/ATSH/ Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka sqaruar procedurën e pagesës së orëve shtesë të mësuesve në shkolla në këto kohë pandemie, ku klasat janë ndarë në numër vogël nxënësish.

Në përgjigje edhe të pretendimeve të ngritura nga opozita, Ministria e Arsimit sqaron se “ mësuesit bëjnë në javë mbi 40 orë, por paguhen vetëm për 5-6 orë, MASR dëshiron të sqarojë opinionin publik se ky është keqinterpretim shifrash në përllogaritjen e kohës shtesë, pasi barazohen orët 45 minutëshe me ato 25 ose 30 minutëshe”.

Sipas Ministrisë së Arsimit, në muajin shtator 14 mijë mësues të arsimit parauniversitar kanë përfituar pagesë për orët shtesë.

“Theksojmë se për muajin shtator janë rreth 14 mijë mësuesit e sistemit arsimor parauniversitar që kanë përfituar pagesë për orët shtesë të kryera. Sipas përllogaritjeve, pagesa ndaj një mësuesi nga orët shtesë shkon deri në 8,500 lekë në muaj.Sqarojmë gjithashtu se mësuesit punojnë në klasa që janë në gjysmën e kapacitetit, sipas përcaktimit në udhëzimin për numrin e nxënësve në klasë. Më poshtë po sqarojmë të tre rastet-ilustrim të paraqitura nga opozita dhe orët shtesë që kryen mësuesi në secilin rast. Rasti i parë: Minuta në kohë normale: 18×45’=810′, minuta në situatë COVID-19: 36×30’=1,080′, mësuesi kryen 270′ shtesë ose 270’÷45’=6 orë shtesë. Të paguara. Në rastin e dytë:Minuta në kohë normale: 20×45’=900′, minuta në situatë COVID-19: 40×30’=1,200′, mësuesi kryen 300′ shtesë ose 300’÷45’=7 orë shtesë.Të paguara. Në rastin e tretë sipas ministrisë së Arsimit:Minuta në kohë normale: 20×45’=900, minuta në situatë Covid-19: 40×25’=1,000, mësuesi kryen 100′ shtesë ose 100’÷45’=2 orë shtesë plus 5 orë për klasë kujdestari, 7 orë të paguara”, bën të ditur Ministria e Arsimit.

Ministria e Arsimit po ashtu ka vlerësuar të gjithë mësuesit për angazhimin e treguar në këtë situatë të pazakontë duke i garantuar s se mbështetja dhe mirënjohja e MASR për ta nuk do të mungojë kurrë. z.tosku//a.a/