/ATSH/- Investimet në aeroport, stadium, akset rrugore që lidhin qytetin me fshatin dhe fshatrat me Bjeshkët e mrekullueshme të qytetit verior, muzeu nëntokësor dhe shumë të tjera do ta transformojnë Kukësin në një qytet turistik në harkun kohor të dy apo tre viteve.
Kryebashkiaku Safet Gjici, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare ka theksuar se investimet në Kukës janë disa dimensionale. “Ka nisur puna për aeroportin që për një vit do jetë gati. Është në përfundim e sipër spitali i Kukësit, që pas shumë e shumë vitesh më së fundmi edhe në Kukës do ketë një spital të ri. Kemi investime në infrastrukturë. Kemi përfituar projekte madhore nga fondet e BE”,- tha Gjici.
“Qyteti muze nën tokë, që ju dini që ka një qytet, siç e shikoni lart me institucione…etj, ka dhe një qytet nëntokë, duke i dhënë një impakt edhe turizmit. Kemi biseduar me ardhjen e fundit të Kryeministrit për të investuar tek lagjia 4 5 6, ku brenda dy-tre muaj do nisë investimi, duke bërë procedurat e prokurimit. Është një investim rreth 3.5 milionë euro dhe brenda vitit tjetër do të kualifikojmë të gjithë lagjet e qytetit, duke ndërhyrë në rrugë, ujësjellës, kanalizime, fasada, dhe në fund të vitit tjetër mbyllim investimin brenda në qytet dhe dalim jashtë qytetit për të parë situatën në të 14 njësitë administrative, për t’i shtruar me asfalt të gjitha akset rrugore që janë të pashtruara. Projekt i rëndësishëm është edhe ai i rrugëve të bjeshkëve, 2.8 milionë euro investim, qeveria na ka premtuar se do e fusë në rrugën e investimeve edhe këtë rrugë”,- tha Gjici.
“Në Kukës shumica e atraksioneve turistike janë falas, siç është edhe muzeu etnografik, shtigjet…etj. Pas investimeve në infrastrukturë, në ujësjellës, kanalizime, akset rrugore që të çojnë drejt bjeshkëve, dhe me aeroportin, unë them që Kukësi ka një ecje në rrugën e zhvillimit. Pra Kukësi merr rrugën e zhvillimit. Çdo fshati do i hapet rruga për të shkuar drejt bjeshkëve, bujtinat marrin jetë,dhe Kukësi për dy tre vite do të jetë një Kukës tjetër, Kukës turistik”,- tha Gjici.