/ATSH/ Rruga e re nga rrethrrotullimi në Mullet deri tek Ura e Qehasë është një realitet.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, deputetin i PS, Xhemal Qefalia dhe anëtari i Këshillit Bashkiak, Redi Jupi, përuruan rrugën e re që afron fermerët me tregjet bujqësore të Tiranës dhe i sjell një zhvillim më të madh agroturizmit.
Veliaj tha se falë bashkëpunimit shumë të mirë mes qeverisë dhe pushtetit vendor, investimet po shtrihen kudo. “Kur qeveria ndihmon, edhe Bashkia bashkëpunon, edhe atij që i kalon rruga në arë, tregohet tolerant dhe thotë: Kjo, mbi të gjitha, bëhet për të mirën time dhe të familjes sime”, në fund kemi një rezultat të shkëlqyer si ky ku jemi sot. Herën e fundit ishim në Baldushk, ku bëmë qendrën e fshatit, pastaj në Zallherr, ku rindërtuam një shtëpi të prishur nga tërmeti, e mandej në Zallbastar po ashtu. Po vazhduam me këtë ritëm, çdo ditë nga një punë konkrete, është vetëm çështje kohe sa të kemi vendosur dorë në të gjithë territorin”, tha ai.
Bashkimi i fshatrave me Tiranën, ka sjellë edhe tregun më afër qytetit. Kurse, përmirësimi i infrastrukturës rrit vlerën e pronës dhe shton numrin e bizneseve. “Herën e fundit, metri katror i tokës ishte 10 mijë lekë, kurse sot paska vajtur 50-60 mijë lekë; do të thotë se ka një lloj vlerësimi me fuqi financiare nga Tirana urbane që po mundohet të investojë te Tirana rurale, dhe kjo rrugë e sjell këtë zhvillim. Bukuritë e luginës së Erzenit i kemi te dera e shtëpisë, është një zonë pjellore, me njerëz punëtorë e bashkëpunues. Ndihem mirë që shumë sipërmarrje për agroturizëm, bujtina etj, i kanë sjellë një zhdërvjelltësi zonës, edhe për qarkullimin ekonomik të parasë”, shtoi Veliaj.
Kryebashkiaku dha lajmin e mirë edhe për familjet që kanë pësuar dëme nga tërmeti. Ai theksoi se shumë shpejt do të nisë puna për rindërtimin e banesave të dëmtuara prej tërmetit të nëntorit, ndërkohë që po vijon puna për shpërndarjen e pagesave cash. “Kaloi loti i parë i Farkës, kaloi loti i dytë i Baldushkut, tani do të vazhdojmë me lotin e tretë që janë shtëpitë e Petrelës, Mulletit, Qehasë. Siç bëmë shtëpitë e shtatorit, do të vazhdojmë edhe me shtëpitë e nëntorit, me të njëjtin ritëm. Qeveria sapo na akordoi fondin e granteve cash për banorët me dëmtime më të lehta. Kur kujtoj se më parë kalonin 10 vite dhe nuk rimbursohej një përmbytje në Shkodër, fakti që s’janë bërë 10 muaj dhe jemi gati me cash në dorë, do të thotë që kur shteti do, shteti bën. Një gjë është e sigurt: ky shtet, kjo qeveri dhe kjo bashki, edhe do, edhe bën”, nënvizoi Veliaj.
Deputeti i PS, Xhemal Qefalia vlerësoi vëmendjen e Bashkisë ndaj zonave rurale dhe theksoi se ky investim i shërben të gjithë komunitetit. Ndërsa, anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Redi Jupi u shpreh se një investim i tillë pritet që të çlirojë 10-fish më shumë energji, duke i dhënë një impuls të ri edhe zhvillimit ekonomik të zonës. z.tosku/j.p/