ATSH/ Një tjetër pikë agroturistike që mund ta gjeni falë aplikacionit Agrotime Al ndodhet në Roshnik në afërsi të Beratit.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi, solli sot shembullin e Petrit Fiska, që ka ngritur agroturizmin “Alpeta” në këtë zonë.
“Një sipërmarrje familjare që ka nisur herët me prodhimin e verës dhe rakisë, tashmë është kthyer në agroturizëm “Alpeta”, një kombinim i bukur i peizazhit natyror dhe produkteve tipike të zonës. Nëpërmjet mbështetjes nga AZHBR Petriti dhe familja e tij mundësojnë edhe akomodimin për çdo vizitor që vendos të kaloj fundjavën në Roshnik”, – shprehet Ekonomi.
Ndërsa Fiska fton vizitorët të shijojnë këtë bukuri të natyrës të ndërthurur me dorën e njeriut.
“Jeni të ftuar në tryezën tonë për të shijuar gatimet tradicionale në restorantin tonë, për të treguar historinë e Roshnikut dhe eksperiencën e familjes sonë”, – thotë Fiska.
Ai bën të ditur se për të gjetur vendndodhjen tonë shkarkoni aplikacionin Agrotime Al.
Alpeta Agroturizëm ndodhet në lindje të qytetit të Beratit, në fshatin Roshnik. Alpeta përbëhet nga kantina e verës , restoranti dhe bujtina. /k.s/