/ATSH/- Prefekti i qarkut Korçë, Dhori Spirollari dhe kryetari i bashkisë Pogradec, Ilir Xhakolli inspektuan nga afër punimet që po bëhen për ndërtimin e lotit të 2-të në aksin Qukës-Qafë Plloçë.
Ky aks përbën një nga investimet madhore të shtetit shqiptar dhe që parashikohet të mbyllet në 2021.
Punimet po ecin me intensitetin e duhur dhe shumë shpejt me qëllim përmbushtjen e afateve të parashtruara për realizimin e kësaj vepre.
Xhakolli u shpreh se, ky aks rrugor ka impakt të drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të zonës. Ndërsa zona e Mokrës theksoi ai, do të ketë rrugëzgjidhjen e saj në të gjitha drejtimet duke filluar me infrastrukturën, zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë nga vetë banorët deri tek zhvillim i turizmit malor dhe agroturizmi.
Përfundimi i këtij aksi rrugor do lehtësojë mjaft lidhjen e fshatrave me Pogradecin, Korçën dhe Tiranën.
Ky aks gjithashtu shkurton shumë vajtjen nga Librazhdi për në Korçë, ndërsa kanë përfunduar punimet në tunelet 1, 2 si edhe në tunelin 3 të daljes së emergjencës. Po vazhdojnë intensivisht punimet për ndërtimin e strukturave dhe mbushjen e trasesë. e.xh/j.p/