ATSH/ Në aktin normativ të buxhetit të qeverisë gjendet financimi i lotit të dytë i rrugës “Korçë – Ersekë”.  Lajmin e bëri të ditur kryebashkiaku i Ersekës, Erion Isai i cili theksoi se është peshë e madhe të bësh  rrugën e Kolonjës, kur vetë Kolonja ka bërë rrugën e Shqipërisë.

“Çdo nismë, ideal, pasion e punë e ka një rrugë. Edhe kjo e jona e ka një… rrugën e Kolonjës”, u shpreh Isai.

“Por ne, bashkë, e kemi nisur këtë rrugë, me 3 shkollat dinjitoze si arsimi i vetë Kolonjarëve, ujësjellsat e Ersekës, Leskovikut, Kozelit, 17 fshatrave, qendrës sociale, kanalit vaditës së Gjonçit, qendrës polifunksionale IADSA, programeve të turizmit, projekteve të BE, 2 banesave sociale për të pa strehët në Ersekë e Leskovik, rikualifikimin urban të dy lagjeve në Ersekë, vetëm nga qeveria Shqiptare në 11 muaj, jane 12,8 miliard lek investime për Kolonjën”, u shpreh Isai.

“Pa përmendur potencialin e investimit nga vetë bashkia, pedonalen e re te rrugës Pali Prifti, qendra e Mollasit, rrugët rurale që lidhin zona të tëra… çdo ditë diçka… për këtë rrugë. Është sfida më e bukur ndër punët e mia deri tani, pasi pasioni i ndërtimit të kësaj rruge e bën këtë detyrë unike, e të paharrueshme”, theksoi ai.

“Dhe ja ku jemi, të realizuar, gati për ta filluar. Si të mos e falenderoj, jo ministren, por deputeten tonë, çupën e adoptuar të Kolonjës, Elisa Spiropali kur në atë zyrën e saj të katit të dytë, ndërpret çdo takim, bën çdo telefonatë, takon çdo njeri, e “çmend” këdo për investimet në Kolonjë… e quante të plotësuar fund-sfidën e mandatit të saj të parë si deputete e Kolonjës, i dukej e paplotë rruga që kemi nisur për Kolonjën!”, theksoi kryebashkiaku Isai

“Në sheshin Rilindja, rrethuar në të bronxtët rilindasit sharmantë, që i dhanë mend e nur Kolonje gjithë kombit, në mes qershorin e vitit të kaluar Edi Rama premtoi: po, do ta bëjmë rrugën e Kolonjës!”, tha Isai. /j.p/