Emigrimi masiv, sidomos i të rinjve, është rikthyer fort pas pandemisë. Shqiptarët po largohen, duke rrezikuar jetën njësoj si në luftë, së fundmi duke kaluar detin nga Franca në Britani me gomone.

 

 

Komuniteti Europian, nëpërmjet, Eurostat, raportoi se gjatë janar-gushtit të këtij viti kanë kërkuar azil mbi 5 mijë shqiptarë, ndërsa mijëra të tjerë ikin me kontrata pune, me punë të përkohshme, bashkim familjar, për studime etj.

 

Nga viti 2011 deri më 2021 u larguan nga vendi 214 mijë persona, sipas matjeve që vijnë nga metodologjia e emigracionit neto të INSTAT, por në vitin 2022, fenomeni është bërë më agresiv, pasi bizneset në sektorin e tregtisë pohojnë se ka rënie të menjëhershme në konsum, teksa të gjithë sektorët, pa përjashtim edhe ai publik, janë në emergjencë për punonjës.

 

 

Nga viti 2008 deri në 2020-n, rreth 700 mijë shtetas shqiptarë kanë marrë leje qëndrimi në një nga shtetet e Bashkimit Europian. Mijëra të tjerë jetojnë në mënyrë të paligjshme.

 

Censi për regjistrimin e popullsisë, i parashikuar për këtë vit, u shty, por të dhëna të tërthorta nga INSTAT dhe anketa e emigracionit tregojnë se kanë ikur nga vendi rreth 700 mijë persona pas vitit 2010, teksa ritmet e largimit janë përshpejtuar pas pandemisë, sidomos këtë vit.Pse po ikin

 

Për shumë vende europiane nuk është i kuptueshëm se pse kaq shumë njerëz largohen nga një vend i begatë me burime natyrore, duke rrezikuar edhe jetën dhe ku sistemi i qeverisjes është demokratik.

 

Largimi masiv i shqiptarëve shpjegohet vetëm nga teoria e fituesit të Çmimit “Nobel” në ekonomi, George Akerlof, sipas të cilit sa më shumë njerëz largohen nga një vend, aq më pak tërheqës bëhet që të tjerët të qëndrojnë.

 

Imagjinoni një 15-vjeçar nga një fshat në Veri të vendit, i cili flet me vëllain e tij të madh që jeton në Londër, që ka vetëm disa muaj atje dhe bën një jetë të pëlqyeshme.

 

Imagjinoni të tjerët që shpesh jetojnë në familje me minimumin jetik, që shohin profilet e të afërmve të tyre jashtë vendit në rrjetet sociale. Tani të rinjtë shqiptarë masivisht, nuk ëndërrojnë që të formohen me profesione, si një mënyrë për të ndërtuar jetën kur të rriten.

 

Emigracioni është kthyer në aspiratë, në mendësi dhe po konkurron çdo alternativë që ofrohet së brendshmi. Besmir Muslia, një mësues në ciklin 9-vjeçar në Shemri të Kukësit thotë se, pa përjashtim, nxënësit atje duan të emigrojnë, ikin pa mbaruar ciklin 9-vjeçar.

 

Situata nuk ishte shumë problematike deri 10 vite më parë, pasi Shqipëria doli nga komunizmi me një popullsi të re në moshë dhe emigracioni ishte si një lehtësim për papunësinë galopante. Mirëpo, emigrimi sistematik në 30 vite tranzicion e ka tkurrur popullsinë e vendit deri në atë pikë sa tani e gjithë shoqëria është në emergjencë për njerëz.

 

P.sh., sektori i ushtrisë po vuan për mekanikë, kur dihet se shumë mjete që ajo disponon kanë nevojë për mirëmbajte. Drejtues të një reparti të mjeteve të rënda pohuan se, konkursit të hapur për mekanik nuk po i përgjigjej askush.Të dhënat e INSTAT treguan se ritmet vjetore të rritjes së pagave ishin 6% në tremujorin e dytë të vitit 2022, por kjo rritje u gërrye nga inflacioni, i cili po rritet me ritme më të larta se pagat.

 

Të dhëna të tjera nga INSTAT tregojnë se bizneset në Shqipëri investojnë shumë pak te kapitali njerëzor. Nga viti 2016 deri në vitin 2020, investimet në trajnimin profesional të punonjësve kishin rënë nga 20-80% sipas aktiviteteve ekonomike, raportoi INSTAT, ndërsa Kodi i Punës nuk respektohet në shumë aspekte të tij./ Monitor

 

 

Burimi: Eurostat

Top Channel