ATSH/ -Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka shprehur sot besim te mbështetja e Belgjikës që negociatat të çelen brenda këtij viti.
Ruçi i ka dërguar një letër urimi Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve të Belgjikës, Hugo Dewael, me rastin e Ditës së Pavarësisë.
“Me rastin e 21 korrikut, Ditës së Pavarësisë së Mbretërisë së Belgjikës, Ju dërgoj urimet më të ngrohta të Kuvendit të Shqipërisë dhe të miat personalisht. Dita e Pavarësisë, e cila kremton themelimin e Mbretërisë së Belgjikës, 199 vjet më parë, më 21 korrik 1831, është një ngjarje e madhe historike për kombin, sistemin demokratik, të ardhmen dhe emancipimin politik e shoqëror të Belgjikës si edhe mirëqenien e popullit mik belg”, ka theksuar Ruçi.
“Belgjika, si një nga gjashtë shtetet themeluese të Bashkimit Europian, është një vend mik dhe partner i rëndësishëm i Shqipërisë në rrugën tonë drejt demokracisë, progresit dhe bashkimit me familjen europiane. Shqipëria i është mirënjohëse Belgjikës për mbështetjen e anëtarësimit në NATO dhe bashkëpunimin e mëtejshëm në kuadrin e kësaj Organizate”, është shprehur Ruçi.
”Të dy vendet tona kanë marrëdhënie shumë të mira ekonomike dhe politike dhe unë shpresoj që bashkëpunimi ynë të njohë zhvillime të reja në të ardhmen, sidomos në luftën kundër terrorizmit, progresin e mëtejshëm në kuadrin e Procesit të Berlinit dhe integrimit europian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor si edhe rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe investimeve belge në Shqipëri”, ka vijuar Ruçi.
“Gjej rastin që, në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe në emrin tim personal, t’Ju falenderoj për mbështetjen e Belgjikës ndaj rrugëtimit europian të Shqipërisë. Siç jeni në dijeni, Këshilli Europian vendosi çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe ky vendim është rezultat edhe i mbështetjes së qeverisë së Belgjikës, Dhomës së Përfaqësuesve dhe Tuajës personalisht”, ka nënvizuar Ruçi.
Ruçi ka theksuar se, “Kuvendi i Shqipërisë është aktualisht i angazhuar në mbështetjen e reformave të rëndësishme në kuadrin e integrimit europian të Shqipërisë, si reforma zgjedhore, reforma në drejtësi dhe plotësimi i rekomandimeve të Këshillit Europian, për përgatitjen e kuadrit negociues. Ne kemi besim se do të kemi edhe mbështetjen e Dhomës së Përfaqësuesve dhe të Belgjikës që negociatat të çelen brenda këtij viti dhe të fillojë sa më parë diskutimi i kapitujve të tyre”.
“Duke përfunduar, më lejoni, Zoti President, të shpreh edhe njëherë kënaqësinë se Belgjika po del nga situata e pandemisë, populli belg po i kthehet jetës normale dhe Kuvendi i Shqipërisë dhe Dhoma e Përfaqësuesve do të nisin bashkëpunimin midis tyre. Kam kënaqësinë që t’Ju ftoj për një vizitë zyrtare në Tiranë, në një kohë të përshtatshme për Shkëlqesinë Tuaj.”, ka shkruar në letrën e urimit Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.
/gj.mima/ /a.g/